Gazetari Xhoi Malësia rrëfen dhunën brenda komisariatit: Efektivi më fyeu dhe më qëlloi në komisariat

Pasi u mbajt për disa orë në Polici, gazetari Xhoi Malësia, ka lënë ambientet e brendshme të komisariatit numër 2, ku tha se ishte i tronditur për atë që kishte ndodhur. Ai tregon se ishte duke bërë punën e tij, dhe se është dhùnuar dhe në ambientet e brendshme të komisariatit, ku një efektiv e ka qëlluar në fytyrë dhe e ka fyer.

“Isha duke luajtur basketboll dhe kam dalë.Pashë një moment trazirash pranë 21 Dhjetorit.Kishte shoqërime. U afrova të filmoj, dikush me maskë nga këto të FNSH më thonë hiq telefonin. Nga pjesa e kryqëzimit te rajoni jam çuar forcërisht edhe pse bërtita jam gazetar dhe po gaboni. Kjo është injoruar. Shoqërimi ishte i dhùnshëm.

Gjëja më e rëndë ndodhi në korridoret e policisë ku i them oficerit jam gazetar dhe po bëni gabim, në atë moment më fyen nga familja dhe më gjuan në faqen e djathtë.Pastaj jam futur në paradhomën e qelive, herë futesha në qeli dhe herë dilja me forcë.Kam thënë vazhdimisht që jam gazetar derisa e kuptuan gabimin që bënë”, është shprehur Malësia.

Ai tha se ka firmosur në mungesë të dëshirës deklaratën vetëm për të mos zgjatur më tej qëndrimin në komisariat.

“Kam dalë nga biruca dhe kam dhënë një dëshmi që në mënyrë abuzive është ndryshuar. Personi që mori dëshminë u përpoq të fuste fjalë të tjera dhe të evidentonte faktin që unë nuk kisha beixhin e gazetarit dhe kjo i jep të drejtën. Por nuk është shkelje penale edhe si qytetar i thjeshtë që të filmosh. Pata dhe një debat nëse isha apo jo i shoqëruar.

Kam kërkuar të bëj një telefonatë dhe ma kanë refuzuar, është në shkelje të të drejtave të njeriut. I kam thënë oficerëve të policisë vazhdimisht që kjo që po ndodh është turp. Në fund firmosa deklaratën për të cilën nuk jam dakord, e kam hedhur një firmë sa për të dalë kur kolegu më tregoi se kishin ardhur miq dhe të afërm. Refuzova deri në moment të fundit për të firmosur deklaratën.

E firmosa me pendesë. Më është marrë telefoni, kam kërkuar të njihem me statusin tim jam i shoqëruar apo i ndaluar. Kërkova që telefoni të mbyllet. Më vjen keq që ndodhi jo vetëm për një gazetar por edhe një njeri të thjeshtë, është e turpshme. Shoh që ka ardhur dhe babai im. Nuk kisha mundësi të lajmëroja njerëzit që jam mirë. Kam kërkuar dhe të komunikoj me zyrtarë më të lartë të policisë për ti sqaruar si është puna dhe nuk më është mundësuar”, ka thënë më tek gazetari.

Teksa la oborrin e komisaritit pati edhe një shtrëngim duarsh me një prej oficerëve. Malësia nuk mohoi sjelljen e mirë të shumicës së efektivëve pasi mësuan se është gazetar por nga ana tjetër kërkoi identifikimin e policit që e dhùnoi brenda komisariatit.

“Nuk mund të abuzoj që oficerët u sollën keq, janë sjellë mirë. Pati një ndjesë nga personat me të cilat komunikova. Por personi që më ka ofenduar nga familja dhe më gjuajti në fytyrë jashtë çdo protokolli shoqërimi duhet të mbajë përgjegjësi dhe të identifikohet. Kam kërkuar të merren kamerat e sigurisë në korridor ku ka ndodhur, është turp të dhùnohet një person krejtësisht i parrezikshëm dhe që po bashkëpunonte”, tha më tej Malësia.

Author: admin