Nga Tom Kelly
Shqipëria do të shndërrohet në një “parajsë e pastrimit të parave” për bandat e drogës me bazë në Britaninë e Madhe falë ligjeve që do t’u lejojnë fshehjen e milionave të përfituara nga krimi në perandori pronash.
- Qeveria shqiptare po paraqet një “amnisti fiskale e kriminale”, e cila i lejon kujtdo të deklarojë asete deri në dy milion euro pa iu dashur të zbulojë origjinën e parave.
Kjo vjen teksa një investigim i kryer nga Daily Mail ka zbuluar se baronë droge që veprojnë në Britani kanë pastruar shuma të mëdha parash në vila luksoze, apartamente, tokë bujqësore, palestra, bare e madhe edhe pika karburanti.
- Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – ekuivalenti britanik i FBI-së – ka paralajmëruar se shumat e parave të fituara nga veprimtaritë kriminale që dalin nga Britania janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë 4-5 vjetëve të fundit, kryesisht nga bandat shqiptare të drogës që dërgojnë para në vendin e tyre.
Mbi 13 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Britani që nga fillimi i këtij viti përmes Ngushticës së La Manshit, një e treta e gjithë të ardhurve me varka.
Anëtarit shqiptar të një bande kokaine që pastroi 10 milion paund, kohët e fundit iu sekuestrua një vilë, tre apartamente, dy garazhe dhe 20 akër tokë në vendin e tij. Paratë e pista besohet se kanë ushqyer bumin e ndërtimeve në Shqipëri, me vlerën e ndërtimeve me leje në Tiranë që ka shkuar nga 112 milion paund në çerekun e parë të vitit 2021 në 206 milion paund në të njëjtën periudhë të këtij viti.
Bandat e krimit të organizuar dyshohet se përdorin një gamë të gjerë mënyrash për transportimin e parave të fituara nga krimi përmes kufijve, përfshirë përdorimin e agjencive të udhëtimit si front për trafikimin e parave, duke fshehur dhjetëra mijëra paund pas televizorëve apo duke mbushur gomat e kamionëve me kartëmonedha.
Zyrtarët shqiptarë të përfshirë në hetimin e pastrimit të parave thanë se autoritetet kombëtare sekuestrojnë pasuri vetëm kur dikush dënohet jashtë vendit, duke mbyllur një sy për të tjerët.
Një zyrtar britanik tha për Daily Mail se mundësia për të transferuar pará jashtë Britanisë ishte një arsye kyç pse shumë kriminelë operojnë në Britani.
“Kriminelët nuk do të vinin këtu nëse nuk do të mund t’i transferonin jashtë paratë. Pa pará që dalin jashtë vendit biznesi vdes”.
NCA thotë se bandat kriminale shqiptare kanë çuar në një valë të madhe parash që dalin nga vendi.
Shefi i inteligjencës në NCA, Steve Brocklesby, thotë: “Objektivi i tyre kryesor pasi bëjnë pará është t’i nxjerrin jashtë vendit sa më shpejt të jetë e mundur, kështu që i transferojnë fshehurazi nga Britania në Shqipëri në çfarëdo forme të mundur”.