Unë nuk e kam takuar kurrë balerinën Ganimet Vendresha. Asnjëherë. Edhe pas disa përpjekjeve që bëra këto ditë për të mundësuar një “pirje kafe” me të, nuk na u bë për mbarë. Ajo tashmë është në moshë të thyer. E ka të vështirë të jetë “hazërxhevap” për takime, për t’ju përgjigjur “tekave” të njërit apo të tjetrit.
Kur ishim studentë, gjysmë shekulli më parë, çka na e bënin të veçantë Tiranën, krejt të ndryshëm nga qytetet e tjerë që kasha parë deri atëherë, ishte Teatri Kombëtar dhe Pallati i Kulturës. Nuk di pse më jepnin një ndjesi të çuditshme, paksa të largët e hyjnore, sikur brenda atyre ngrehinave kishte njerëz krejt të ndryshëm, të pangjashëm me ne të tjerët që zinim radhë për një marrë një biletë e për të parë shfaqjen e radhës. Të zbritur nga fshati, relativisht të paditur dhe pa asnjë informacion për teatrin, operat apo baletin, gjithçka që shihnim na jepte një efekt tonik, na ndizte kënaqësinë e mureve të zemrës, duke na e përcjellë ato thellë në shpirt.Pedagogu im i famshëm i kimisë inorganike, Aleko Xoxe, të parën këshillë që na dha ne studentëve, për çudi, nuk qe ajo e kujdesit që duhet të tregonim për përgatitjen sistematike në lëndën e vështirë të kimisë organike, por diçka tjetër, që nuk kishte lidhje fare me mësimet në universitet. E dini cila ishte? Eshtë disi e pabesueshme por unë, studenti i tij, meqë erdhi rasti të shkruaj për një artiste të madhe si Ganimet Vendresha, më duhet ta riprodhoj fjalë për fjalë, ashtu si profesori im i dashur, na jepte “edukatë qytetare” në atë fillim shtatori të vitit 1967. Ju, na u drejtua profesori, si të ishim fëmijët e tij, duhet të mësoni, të studioni sistematikisht në të gjitha lëndët, të mos lini boshllëk nga leksioni në leksion, por…qëndroi një çast, aq sa iu desh të krijonte përshtypjen për auditorin, ne që e dëgjonim gjithë sy e vesh, se do të na thoshte diçka të rëndësishme. Kërkoj nga ju të gjithë që të njihni mirë kryeqytetin, Tiranën. Kur them “të njihni Tiranën” e kam fjalën që ju të jetoni me zhvillimet në kryeqytet; të njiheni e të shfrytëzoni mirë Bibliotekën Kombëtare; të vizitoni muzeumet, të mos lini film pa parë nga ata që shfaqen në kinematë e Tiranës; të shihni të gjitha premierat, dramat, tragjedi apo komedi që luhen në Teatrin Kombëtar nga artistët tanë të mëdhenj. Këto ditë në Teatrin e Operës dhe Baletit po luhet “Halili dhe Hajria”. Heshti për një moment profesori dhe pastaj na u drejtua përsëri si të na lutej. Mos lini pa e parë “Halili dhe Hajria”! Do të kënaqeni, do të mahniteni, do të përjetoni ca çaste që mund t’i sjellë një balerinë si Ganimet Vendresha.
Sigurisht që porosia e profesor Alekos u bë pjesë e jetës sonë studentore. Ditët e fundjavës, gati të gjitha, i programonim për të ndjekur veprimtaritë më pikante, kulturore e artistike, të kryeqytetit. Por baleti “Halili dhe Hajria” ishte i pari që do të çelte derën për të përjetuar botën e madhe të aktorëve të mëdhenj, për të shijuar përsosmërinë e jashtëzakonshme të artit modern. Dhe këtë përsosmëri, nga ato që klasifikohen si “të shenjta”, mund t’i kthente “në gjallesë” një balerinë, një shpirt i etshëm prej artisti si ai i Ganimet Vendreshës.
“Ai që do të mësojë që të mund të fluturojë një ditë, duhet së pari të mësojë të rrijë në këmbë, dhe të ecë dhe të vrapojë, dhe të ngjitet, dhe të kërcejë. Nuk mund shkosh me fluturim për të mësuar fluturimin”. Kur kam lexuar këtë thënie të filozofit gjerman Fridrih Niçe mendja më ka shkuar tek puna, tek përpjekjet që duhet të bëjë njeriu, tek mundimi, lodhja, tek ngarkesa dhe mbingarkesa për të arritur tek suksesi. Një ndër ekzemplarët e rrallë, një nga ata që e kishin ndarë mendjen për t’u bërë të famshëm qysh në moshën e hershme të rinisë, është edhe Ganimet Vendresha.
Ajo nisi të vrapojë, të ngjitet e të rrëzohet, të ecë e të kërcejë qysh nga viti 1950, atëherë kur iu dha mundësia e jashtëzakonshme për të studiuar e për t’u përgatitur si balerinë në të famshmin“Teatrin Balshoi”, në Moskë. Ganimet Vëndresha, e cila tashmë i ka kapërcyer vitet e lartësisë së një rrokaqielli 80 katesh, të jep mësim, të qorton e këshillon se suksesi nuk mund të të vijë pa u “gjakosur”në rrugëtim për tek ai.
- Ajo e filloi dhe e mbylli veprimtarinë e saj si balerinë duke luajtur me emra të mëdhenj artistësh, të cilët kanë zënë vend e na kanë mbetur në kujtesë qysh nga mosha e rinisë, si Xhemil Simixhiu, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Agron Aliaj apo Melushe Bebeziqi. Menjëherë na shfaqen “të mëdhenjtë”, ata që për dekada me radhë punuan për të pastruar pluhurin e të përditshmes në shpirtrat tanë. Aty, pra në“Teatrin Balshoi”studiuan për gjashtë vjet, dhe paralelisht me shkollimin edhe interpretuan në skenën e teatrit emërmadh. Ganimeti ka qenë pjesë e një prej shfaqjeve, “Liqeni i Mjellmave” të Çajkovskit, por edhe disa të tjerë, prurje hungareze apo spanjolle. Ajo ka interpretuar me një grup profesorësh, nga më të mëdhenjtë e baletit të atyre kohëve. E ka konsideruar veten me fat sepse të studioje në një shkollë të famshme si “Teatri Balshoi” do të thoshte se kishe lindur “me këmishë”. Nuk mund ta kishin këtë shans të gjithë. Moska ishte vendi ku kishte kulmuar arti, ku spektatorë dikur kishin qënë edhe mbretër,pa përmendur personalitete të medhenj politikbërës të kohës, të Stalinit e dhjetëra të tjerëve. Diploma e saj, kur përfundoi studimet, mban nënshkrimin e mjeshtres së madhe, e të papërsëritshmes Galina Sergeivna Ka qenë një mbrojtje e vështirë, dinjitoze, duke vallëzuar rolin e Maria Potockas në baletin“Fontana Baktçisaraj”.
- Në balet nuk ka fjalë. Komunikimi me spektatorin bëhet nëpërmjet lëvizjeve, mimikës, të cilat pastaj përcjellin Sa e vështirë për të realizuar artistikisht, për të “bindur” shikuesin se lëvizjet, akrobacitë, gjërat që duken, tjetër kuptimi mbartin në brendësi. Nuk kanë qenë vite të lehta për balerinën Ganimet, për sjellë tek artdashësit personazhe kaq të vështirë, personazhe që u duhej fshirë pluhuri i shtresuar në shekuj. I paskëshin qenë dashur dy muaj prova, pa ndalim, për t’u transformuar nga Ganimet në Hajrie. Punë sfilitëse, apo jo?! Punë që mund ta përballojë vetëm një dashuri e çmendur për profesionin, vetëm përgjegjshmëria e pazakontë për t’u bërë dikushi në jetë. Vetëm në dy fjalë mund të përmblidhet nga Ganimet Vendresha përgatitja për të realizuar një personazh baleti: artisti tjetërsohet, nuk është më vetvetja.
Nëse ti je duke punuar për të kapur një sukses, por një zë i brendshëm të thotë “mos, ti nuk mund të bëhesh i suksesshëm”, atëherë mos u ndal, vazhdoje punën dhe do të marrësh vesh se ai zë nuk do të dëgjohet më. Këtë gjë e ka përjetuar edhe balerina jonë e madhe, Ganimet Vendresha. Thirrjen e së keqes “mos, ti nuk do të arrish të bëhesh balerinë”, ajo ia zuri “fyçkën” me këmbënguljen që mund ta ketë vetëm një pasionante që nuk di ç’është lodhja, ç’është tërheqja, ç’është “pazari” për ta gjetur të qenurit e lumtur tek rehatia. Besoj se ka qënë kjo dhe vetëm kjo që balerina e madhe të mund të lunate në kryeveprën e Çajkovskit ‘Liqeni i Mjelmave’, kryeveprën shqiptare “Halili dhe Hajria” apo “Lola”, “Mirandolina” etj. Janë më shumë se 140 role të interpretuara prej saj.
E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që ta doni atë që bëni. Kjo është një nga porositë më të sinqerta që ajo ua jep balerinëve të rinj. Në një intervistë të shkurtër për “Virtuozët”, shfaqje shumë e suksesshme në TV Klan, balerina-legjendë, Ganimet Vëndresha tha një tog fjalësh që, hollë-hollë, ishte edhe një porosi e madhe, nga ato porositë që ia ka dhënë vetë jeta në gjysmë shekulli si balerinë. “E fillove një punë, një profesion, një detyrë a kudi çfarë? Ndaje mendjen!” “Ndaje mendjen!” janë dy fjalë të thjeshta, por që mbajnë brenda një porosi të madhe. E dini çdo të thotë “ndaje mendjen” për Ganimet Vendreshën? Do të thotë “mblidh forcat, thirri mendjes për këtë punë të madhe që ke nisur, harroi ca gjëra që mund të prishin humorin e rehatinë”. Këtë përfundim ajo e ka nxjerrë nga vetja, nga peripecitë dhe vuajtjet që e shoqëruan në të gjithë karrierën e saj si balerinë. Nuk është sakrificë e vogl të qëndrosh larg fëmijëve, të bëhesh “haram” i shtëpisë, të privohesh nga gëzime e ngjarje emocionuese të familjes. E, Ganimeti u bë “armiku” e vetvetes sepse e “kish ndarë mendjen” për tu bërë balerinë e nivelit që ëndërronte. M’u pre oreksi, m’u prish gjumi, u tjetërsova si njeri-shkruan kjo mjeshtre e madhe kur kujton vitet që guxoi të merrej me atë që kërkonte kryeguximin, baletin. Guximi për këtë balerinë të niveleve shumë të larta ka gjenialitet, ka pushtet, por edhe magji brenda. Kjo e fundit, pra magjia, e shoqëron edhe sot e kësaj dite si të jetë pjesë e pandarë e shpirtit të saj.
- Nuk është thjeshtë çështje fati drejtimi apo suksesi që merr njeriu në jetë. Fati ka pjesën e tij, por kur ky fati shikon se ç’punë e përpjekje bën njeriu për të arritur majat, ashtu si Ganimet Vendresha, mban anën e atij që guxon. Në rastin tonë fati mbajti anën e balerinës Ganimet. E di pse? Sepse ajo ndau mendjen, sepse ajo guxoi. Ajo guxoi të përballej me kërkesat e jashtëzakonshme të krijimeve të Çajkovskit, të baleti “Halili dhe Hajria”, por edhe shumë të tjerë që luajti më pas. Një karakter i fortë mund t’u qëndronte me dinjitet profesional kërkesave absolutisht strikte të një koreografi si Panajot Kanaçi. Vetëm ajo iu përgjigj pa asnjë kushtseriozitetit të kompozitorit Tish Daija e dirigjentit Mustafa Krantja. Por edhe me diçka tjetër, shumë më të vështirë, e që ndoshta ish vetëm Ganimeti që mund t’ia dilte: partneri i saj, Xhemil Simixhiu, i cili luajti në mënyrën më të mirë të mundshme rolin e Halilit.
Ganimet Vendresha, e cila tashmë e konsideron të mbyllur veprimtarinë e saj si e tillë, ndjek me merak të madh ecurinë në krijimtarinë e baletit dhe, kur vëren se në ndonjë rast punët nuk shkojnë mirë, nuk qëndron “gojëkyçur”. Flet e jep këshilla. Sipas saj të përmirësosh do të thotë të ndryshosh, të jesh në përsosmëri. Dhe përsosmëria vjen duke u ballafaquar me arritjet botërore, me përvojën tonë të shkëlqyer perj shtatë dekadash, duke bërë analiza tekniko-artistike në krijim, interpretim dhe ekzekutim. Ajo, sipas këshillave që ka dhënë së fundmi, është e mendimit se ka ardhur momenti të trajtohen tema dikur “të panjohura”, të cilat për kohën e saj, ishin tabu. Në veprat e baletit, sipas Ganimetit, nuk ka pse të mbyllin sytë mbi atë çka ndodh me shoqërinë njerëzore, me përpjekjen e njeriut në mes ekzistencës dhe mosekzistencës. Jeta, sipas saj, është intensive, e mbushur me dhimbje të mëdha, çoroditëse, kur çekuilibrat psikologjikë, shpirtërorë e shoqërorë ndryshojnë shumë shpejt, në mënyrë marramendëse, të cilat vështirësojnë dhe errësojnë të ardhmen.
Kam dëgjuar të thuhet se e madhja dhe e mira rrallë jetojnë në simbiozë me njëra-tjetrën, tek i njëjti njeri. Janë cilësi super të larta, super të virtytshme. Ballerina jonë, e cila e kërkoi mundësinë e suksesit tek çdo vështirësi që i doli përpara, meriton t’i thuash: virtuoze, e madhja dhe e mira Ganimet.
Me Enver Hoxhën dhe Çu En Lain
Duke kërkuar në Google gjetëm diçka që nuk mund të mos shënohet për veprimtarinë artistike të Ganimet Vendreshës.
“Halili dhe Hajria” u ngjit në skenën e TKOB-it në vitin 1963. Ajo mbrëmje e shfaqjes paska përkuar me vizitën e Kryeministrit kinez Çu En Lait, i cili ato ditë ndodhej në Tiranën. Për balerinën Ganimet mbetet një nga momentet më mbresëlënëse, më të bukura në historinë e karrierës së saj artistike. Bashkë me Xhemilin, Zoicën, Petritin e Miltiadh Papën në përfundim të shfaqjes, kur kanë dalë në korridor, për të shkuar më pas në dhomën e zhveshjes, Enver Hoxha, i cili shoqëronte autoritetin e lartë politik kinez, i ka parë. Ai, pra Enveri, është shkëputur nga grupi i politikanëve dhe bashkë me Çu En Lain u kanë dhënë dorën, e më pas i kanë përgëzuar për shfaqjen. Enveri i është drejtuar Ganimetit: na befasuat, interpretim shumë i bukur, shumë dinjitoz. Ka qënë çast, të cilin ajo nuk e ka harruar. U mpiva, shënon në kujtimet e saj Ganimet Vendresha. Sipas saj, ishte emocion i madh të të lëvdonte njeriu më i pushtetshëm i vendit.
Një natë përpara ikjes së Çu En Lait, u organizua një darkë e madhe, darkë qeveritare, kujton balerina e madhe. Mbrëmja ishte e organizuar në tri salla, ndërsa vendet ishin të përcaktuara me emra të shënuara mbi tryeza. Në sallën qendrore ishin vendosur Byroja Politike, ndërsa në dy sallat e tjera ishin artistët dhe të ftuar të tjerë. Në sfond ishte vendosur muzikë popullore. Në një çast të gjithë ishin ngritur në kërcimin e radhës. Ajo mban mend që në një moment kish mbetur vetëm, të gjithë ishin ngritur në valle. Edhe Enver Hoxha. Ai e paskësh parë vetëm dhe prej mesit të sallës, me zë të lartë, i ka bërë zë që të çohej. Për një çast, u hutova dhe nuk lëviza nga vendi. “Pranë meje, vjen Ramiz Alia dhe më thotë: “po të fton Enver Hoxha”, demek thirri mendjes. Pasi “u zgjova” nga ai hutim i pazakontë, u ngrita, e kapa nga dora Enverin, duke iu bashkova rrethit të kërcimtarëve në valle”, shkruan në kujtimet shumë të sinqerta balerina Ganimet.