Sindikatat franceze kanë planifikuar mbajtjen e grevave dhe protestave masive të enjten, për të kundërshtuar planin e presidentit, Emmanuel Macron për të shtyrë moshën e pensionit.
Projektligji, që pritet të diskutohet në parlament, parasheh që mosha zyrtare kur njerëzit mund të ndalen së punuari të rritet nga 62, sa është aktualisht, në 64.
- Shërbimet e transportit pritet të çrregullohen keq përgjatë protestës.
- Shumë shkolla do të mbyllen dhe nuk do të ofrohen shërbimet publike.
- Në Aeroportin Orly në Paris, një në pesë fluturime është anuluar.
- Në linjat e metrove në Paris vetëm dy linja që funksionojnë pa shoferë, janë duke punuar normalisht.
Protestat pritet të mbahen në Paris dhe qytetet tjera.
Sipas propozimeve të prezantuara më herët gjatë këtij muaji nga kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për t’u kualifikuar për pension të plotë, në krahasim me 42 vjet sa është tani.
- Sondazhet publike kanë treguar se 68 për qind e popullsisë e kundërshton këtë propozim
Qeveria, në anën tjetër, beson se sistemi francez është drejtuar kah katastrofa, sepse raporti mes atyre që punojnë dhe atyre që janë në pension po zvogëlohet me shpejtësi.
Në krahasim me 50 vjet më parë, kur kanë ekzistuar katër punëtorë për një të pensionuar, raporti ka rënë në 1.7 për një të pensionuar dhe pritet që shifrat të lëvizin edhe më shumë në vitet në vijim.
Gati të gjitha shtetet evropiane kanë marrë së fundi masa për të rritur moshën zyrtare të pensionimit.
Shembull, Italia dhe Gjermania e kanë rritur moshën e pensionimit në 67 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar 66, ndërsa në Spanjë, 65.