Bordi i transparencës të çmimeve të shportës përcaktoi që këtë javë çmimi i vajit me shumicë të jetë 317 lekë dhe me pakicë nga supermarketet 321 lekë për litër.
Çmimi prej 321 lekë është mbajtur nga dyqanet e vogla ushqimore edhe javën e kaluar, ndërsa në supermarketeve është reflektuar çmimi sipas vendimit të mëparshëm të bordit të transparencës.
Dyqanet e vogla të tregtimit të produkteve kërkojnë transparencë të vendimeve të bordit për kontrollin e çmimeve të produkteve të shportës me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg.
Akti Normativ për monitorimin e përjavshëm të çmimeve për produktet, si: miell, vaj luledielli, sheqer dhe oriz që përcakton edhe vendosjen e gjobave në masën 2 mln lekë për biznesin e tregtimit me pakicë dhe 10 mln lekë për bizneset e shumicës ka shtuar stresin te sipërmarrjet e vogla.
Përfaqësues të dyqaneve me pakicë në kryeqytet të kontaktuar në terren nga “Monitor” pohuan se nuk janë në dijeni të çmimeve të miratuara nga bordi, ndërsa kërkuan që vendimet të jenë transparente, pasi për furnizimet janë të varur nga pikat e shumicës.
Bordi i transparencës për kontrollin e çmimeve të shportës mbajti të pandryshuara për dy javë në mars çmimin e tregtimit të vajit të lulediellit. Për tregtarët e shumicës çmimi i përcaktuar nga bordi i transparencës ishte 299 lekë dhe për shitjet me pakicë 305 lekë për litër.
“Marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi për produktin e vajit të lulediellit është shumë i ulët te biznesi i vogël. Ne furnizohemi nga pikat e shumicës të cilat na i sjellin vetë mallin në dyqan dhe për çmimin jemi në varësi të tyre.
Javën e kaluar vajin e lulediellit e kemi blerë me shumicë me çmim 299 lekë për litër. Nëse do ta shesim këtë furnizim 305 lekë marzhi i fitimit është shumë i ulët, pasi edhe ne kemi taksa për të paguar.
Gjoba e parashikuar në ligj në rast se e shet vajin më shtrenjtë se sa tavani do të na falimentonte direkt. Për shkak të marzhit të ulët të fitimit jam e detyruar të ul sasinë e furnizimeve.
Aktualisht në dyqan disponoj 7 kuti me vaj luledielli (100 litra) dhe nuk parashikoj të bëj të tjera furnizime”, shprehet R. A drejtuesja e një dyqani ushqimore në Tiranë.
Përveç marzhit të ulët të fitimit për disa produkte të shportës çmimet e të cilave kontrollohen nga bordi i transparencës tregtarët e vegjël pohojnë se po e shesin nën kosto.
Bordi i transparencës vendosi javën e kaluar që çmimi i shitjes me pakicë të miellit të ishte 95 lekë për kg. “P.sh për çmimin e miellit e paketuar që është vendosur 95 lekë/kg, nga furnizimet e disa ditëve më parë e kam blerë 100 lekë/kg.
Shitjet për këtë produkt jo vetëm që më sjellin fitim, por nga shitja e miellit dal me humbje. Në këtë situatë nuk ia vlen të bësh furnizim për këtë produkt”, veçon një tjetër tregtar. Shitja e mallit nën kosto është një shqetësim i ngritur edhe nga importuesit e vajit të lulediellit.
Teksa bordi i transparencës për 2 javë rresht përcaktoi çmimin e shitjes me shumicë 299 lekë për litër, importuesit pohuan se furnizimet e tyre janë bërë me çmim 360 lekë për litër, duke përfshirë edhe pagesën e TVSH në zhdoganimin e mallit.
Sakaq disa ditë më parë çmimi i vajit të lulediellit në tregun e huaj arriti 430 lekë për litër i ambalazhuar, përfshirë në kosto edhe TVSH.
Më herët në takimin e zhvilluar me kryeministrin Edi Rama përfaqësuesi i kompanisë PDF që tregton vaj të ambalazhuar Olim z. Aredi Sado tha se problematikat me çmimet do të vijojë, pasi tregut botëror i mungon 80% e farës të lulediellit që prodhohet nga Ukraina dhe Rusia.
“Problematika e vajit do të vazhdojë dhe kjo vjen për shkak të çmimeve. Çmimet e vajit sot në Greqi janë 4,5 euro për litër. Kjo po ndodh në Itali, Francë, Gjermani dhe vende të tjera. Edhe sasitë e furnizimeve janë të limituara nga vendet europiane”, nënvizoi ai.
Për problematikën me furnizimet me vajin e lulediellit importuesit e vajit pohuan se miratimi i garancisë sovrane për kreditimin e furnizimeve të vajit të lulediellit do të ndihmojë në krijimin e rezerva të mëdha për këtë produkt.
Akti Normativ përcakton se të gjitha subjektet që tregtojnë produkte me shumicë, për furnizimin e popullatës, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit./Shqiperia ime.com.al