Alan Estrada ka organizuar një konferencë për shtyp për t’iu përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me disa video që ka nisur të bëjë dy vite më parë.
Aktori ishte meksikani i parë që udhëtoi me nëndetëse Titan të kompanisë OceanGate, tani e humbur në Atlantikun e Veriut me pesë anëtarë të ekuipazhit.
Estrada ka një kanal në YouTube, të quajtur “Alan nëpër botë”, dhe një blog udhëtimesh, dhe në korrik 2021 ai u përpoq të niste një ekspeditë për të vizituar mbetjet e Titanikut, të zhytur në një thellësi prej 3,800 metrash, 600 kilometra në jug të Kanadasë.
Megjithatë, sistemet e Titanit dështuan dhe operacioni duhej të anulohej.
E përsëriti sërish, këtë herë me sukses, një vit më vonë.
- Tani ai konfirmon se ishte “një udhëtim spektakolar” por që nuk do ta përsëriste: “Isha i vetëdijshëm që po rrezikoja jetën, e dija se çfarë mund të ndodhte”.
Estrada, 42 vjeç, filloi të merrte dhjetëra telefonata të hënën sapo u dha lajmi: kishte humbur kontakti me një nëndetëse private që po udhëtonte për të vizituar mbetjet e anijes së famshme, të fundosur më 1912. Kërkimi ishte urgjent, nëndetësja kishte një rezervë oksigjeni prej vetëm 96 orësh. Orët po kalonin.
Dy ditë më vonë, ndërsa shpresohet që nëndetësja të ketë arritur të dalë në sipërfaqe dhe po noton diku në oqean, Estrada rrëfen detajet e ekspeditës.
Si fillim, pranon ai, është “shumë e shtrenjtë”. Ai kërkoi sponsorë për të paguar 150,000 dollarët e kërkuar për udhëtimin. Tani, vlen edhe më shumë: 250,000 dollarë. “Meqenëse ekspeditat ishin të suksesshme, çmimi është rritur.
Përpara se të hipësh në Titan, zhytësja e parë me fibër karboni e aftë për të arritur një thellësi prej 4000 metrash, duhet të nënshkruash disa dokumente, “të cilat shpjegojnë saktësisht të gjitha rreziqet që mund të përballeni, duke përfshirë edhe humbjen e jetës, natyrisht”.
“Ne e dinim që kjo është një ekspeditë tepër e rrezikshme, ne e dinim që nuk do të shkonim në një park argëtimi”, thotë Estrada, i cili në periudha të ndryshme gjatë konferencës këmbëngul se ata që hipin në Titan janë të rritur, të vetëdijshëm se çfarë lloj aventure po nisin.
“Një nga klauzolat, për shembull, është të mos vuash nga klaustrofobia”.
Pasi futesh në nëndetëse, nëse gjithçka shkon mirë, duhen rreth dy orë për të zbritur në 3800 metra, për katër orë shihen mbetjet e Titanikut dhe fundi i oqeanit dhe dy të tjera përdoren për t’u ngritur në sipërfaqe. Kështu ndodhi në ekspeditën e Estradës: “Ishte një nga më të suksesshmit. Ndërsa një udhëtim tjetër kishte zgjatur 27 orë sepse kishin pasur probleme me rikuperimin e nëndetëses”.
Brenda, Titani është si një tub bosh, 6.7 metra i gjatë dhe 2.8 metra i gjerë, në të cilin nuk ka ndenjëse dhe as nuk mund të ngrihesh në këmbë. Nuk ka as banjë, por ka një kuti në rast urgjence, sipas Estradës. Ai është projektuar për të bërë një udhëtim të shkurtër, megjithëse Estrada beson se ka gjithçka që duhet për të mbajtur ekuipazhin gjallë për 96 orë nëse “nëndetësja është e padëmtuar”.