Shqipëria ka vijuar të jetë e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe me fuqinë më të ulët blerëse, duke zgjatur kështu rekordin negativ të mirëqenies së banorëve të saj, në krahasim jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian, por edhe shtetet e tjera të rajonit.
- Sipas të dhënave të sapo publikuara të Eurostat, në vitin 2021 vendi ynë kishte Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, të shprehur në bazazinë e fuqisë blerëse, sa 32% e mesatares së Bashkimit Europian.
Ndonëse ka një përmirësim të lehtë me 1 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm, shtetet e tjera të rajonit kanë ecur më shpejt në të ashtuquajturin proces të konvergjencës që nënkupton rritjen me ritme më të shpejta se BE, me synim për të kapur mesataren europane brenda një periudhe të caktuar.
- Për Maqedoninë e Veriut treguesi u përmirësua nga 38% e mesatares së BE-së në 42% për të njëjtën periudhë.
- Për Serbinë treguesi është 44%,
- Për Malin e Zi 48% (nga 45% në 2020-n).
- Për Bosnjë Hercegovina renditet përpara Shqipërisë me 33% të mesatares së BE-së.
Në treguesin tjetër, atë të Konsumit Individual për Frymë (AIC) që mat konsumin sipas barazisë së fuqisë blerëse dhe nivelit të çmimeve, Shqipëria renditet po e fundit, me 39% të mesatares së Bashkimit Europian, njësoj me vitin e kaluar dhe shumë më e ulët se mesatarja prej 48% e vendeve kandidate (përjashtuar Turqinë).
Ndërsa për treguesin e të ardhurave për frymë, diferenca me shtetet e rajonit nuk është shumë e lartë, në treguesin e konsumit individual ajo thellohet, duke reflektuar aftësinë e ulët të fuqisë blerëse të shtetasve shqiptarë për të ardhurat që kanë, e lidhur me çmimet relativisht të larta në vend (shënim i Monitor).
Pas Shqipërisë është Bosnjë Hercegovina me 41%, Maqedonia e Veriut 51%, Serbia 53%, Mali i Zi 60%.MONITOR