Të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 16-24 vjeç kanë të ardhurat më të ulëta në raport me shtetet e tjera të rajonit.
Të dhënat e për vitin 2020 nxjerrin në pah se, arsyeja kryesore pse largohen të rinjtë nga Shqipëria, është niveli i ulët i të ardhurave, që është sa 26% e mesatares evropiane. Ndërkohë largimet masive po i reflektojnë pasojat në ekonominë e vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës
- Mungesa e të ardhurave, pagat e ulëta, dhe vrasja e shpresës janë disa nga arsyet që detyrojnë të rinjtë shqiptarë të largohen për një jetë më të mirë, teksa çdo vit e më tepër shpopullimi po kthehet në një problem shqetësues për vendin.
Të dhënat e Eurostat nxjerrin në pah se një nga arsyet kryesore të largimit të rinjve është vështirësia financiare. Sipas shifrave të përpiluara nga Monitor, grupmosha 16-24 vjeç kanë të ardhurat më të ulëta jo vetëm në Europë, por edhe në raport me shtet e tjera të rajonit.
Eurostat ka publikuar treguesin e të ardhurave të disponueshme, që mat të ardhurat totale të një familjeje, ku për grupmoshën shqiptare 16-34 vjeç rezulton se të ardhurat mediane janë sa rreth 26% e mesatares europiane.
Ndryshe paraqitet situata në rajon, ku të rinjtë kanë më shumë të ardhura të disponueshme. Në Serbi, të ardhurat e të rinjve të krahasueshme sipas fuqisë blerëse janë 52% më të larta sesa të ardhurat e të rinjve shqiptarë. Në Mal të Zi, treguesi është 43% më i lartë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, treguesi është 28% më i lartë sesa në Shqipëri.
- Ndërkohë pasojat e largimit të të rinjve po reflektohen në ekonominë e vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës, konsumin dhe në afatin më të gjatë duke rrezikuar produktivitetin, mirëqenien ekonomike dhe sistemin e pensioneve.