Ka lindur në qytetin e Peqinit në vitin 1971. Ka mbaruar Universitetin ” Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dega gjuhë-letërsi. Më pas ka mbaruar fakultetin e dytë në Universiterin e Tiranës, “Masteri shkencor ” dega Teori Kritike. Shkrimet poetike të saj datojnë që në moshën e gjimnazit. Më pas ka botuar poezi të shkëputura. Por vëllimi i plotë “Këmbanat bien për dashurinë” , doli në shtyp në vitin 2022. Ka botuar edhe shumë shkrime kritike në fushën e letërsisë dhe edukimit në gazeta të vendit dhe të huaja si ” Nacional”, ” Ex Libris” etj. Është zv/drejtore në gjimnazit ” Andon Zako Çajupi” në Tiranë.
RRUDHAT!
Do rrudha t’ballit,
do rrudha t’shpirtit,
do rrudha t’kres,
rrudha t’ toks t’tana shtjellun bukur!
Rrudhat jan’ t’shtrenjta për at’ që ka dit’
me jetue, jan t’vyme për at’qe fillin e lamshit vet,
vet e ka tjerr’.
Rrudhat,
kremi ma i shtrenjt i ftyr’s,
që palos nër thellsi pengjet,
vragat, kulmet, hojet e brendsisë,
rruga e gjatë deri n’han e det e andrrave t’pleqnis,
ardh’ në prag dimri prej fminis pafaj.
Mos i prekni rrudhat,
ato qeshje e vaje t’ natyrshmnis njerëzore,
ato fiskaja, copëzat e shpirtit vizatue kan’,
ato stolitë e argjendta t’ mosh’s,
mos i shikoni,
s’ asht nevoja.
Rrudhat,
fisniket,
që vijnë let’e pa u ni,
kur dora dhimje ka,
aty munet m’u shtri,
me marr forcë e fuqi.
Oh rrudhat e mia,
t’ padashtunat nga njeri,
t’përbuzunat e pasqyr’s,
t’ frikshmet e mosh’s,
unë prap ju due!
S’kam marre,
as turp e zili,
pa ju unë s’ do kisha fillesë,
vazhdim,
vazhdimsi.
I di caqet e mia,
mjer’ ai që s’ munet t’i di!
Rrudhat,
caku i vetvetes!
KËMBANAT BIEN EDHE PËR DASHURINË!
Këmbanat kanë filluar të lodhen
duke rënë veç për vajtimet,
ato kanë filluar të protestojnë,
kërkojnë ndryshimin e statusit,
të bien për dashurinë!
Një tufë zogjsh shtegtarë për herë të parë qëndruan,
shtegtimi vdiq,
ikja veshi një vello të kaftë,
atë të tokës,
qielli mbylli portat,
në vend të yjeve stalakmite loti ranë nga qielli
një herë në shekull,
këmbana më së fundi ndryshoi akordet,
ra ëmbëlsisht.
Dashuria nuk iku në mbylljen e fundit,
nuk kishte kuptim historia,
muzetë u zbrazën nga dhjetë Sibilat
këto parathonjëse pagane,
ku këmbanat ju bënë kurorë mbi kokë,
harmonike ritmi i tyre me ritmin e valles së vashave Sibile.
Këmbana u shpirtëzua,
me të u ngjizën madrigalet më të rralla,
në trup të saj Sibilat skalitën
të gjitha profecitë e Orakujve,
dënimi i tyre të parashikojnë veç dashuritë
që lindën dashuritë,
pra veç Sibilat.
Këmbanat tashmë janë të kuqe,
as të metalta më nuk janë,
ato,
këmbanat që botën kanë orientuar në shekuj,
le të jenë sot veç të artat diellore,
për lindje të paqta!
Le të fillojë lufta e tretë botërore,
veç të jetë luftë dashurie,
këmbanat e Londrës, Parisit a të Moskës
le të bien mbi lumin Jordan!
Këmbanat e humbën orën e tyre fikse
në modernizmin akohor,
njerëzit sot kuptojnë tingullin e vërtetë të këmbanarit,
shtrembëruar në shekuj,
e denjë veç për botën e vdekur.
Por mesa duket nuk është vonë!
Ka mbetur veç një akord.
Ndaj,
këmbanat vendosën të bien për dashurinë!