Leku po vijon më tej mbiçmimin në kursin e këmbimit me euron edhe gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 121.61 lekë. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit mes euros dhe lekut qysh prej datës 1 mars.
Në fillim të muajit mars, euro nisi një mbiçmim të shpejtë, i nxitur kryesisht nga blerje të mëdha të kompanive publike të sektorit energjetik. Këto blerje origjinuan një lloj paniku në tregun valutor, që çoi në mbi çmimin e euros me rreth 7 lekë në një javë.
U desh ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë që tregu të stabilizohej dhe euro të binte gradualisht pranë vlerave të mëparshme. Rënia e euros ka qenë pak e shumë e vazhdueshme qysh prej datës 9 mars, por në ditët e fundit kjo rënie është përshpejtuar.
Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë rënien e euros pranë niveleve të mëparshme kryesisht me një kërkesë të ulët në treg për monedhën europiane.
Sipas tyre, pas kërcimit që kursi pësoi nga blerjet e grupit OSHE, tregu po kthehet në gjendjen e mëparshme, kur nuk vërehej ndonjë kërkesë shumë e madhe për valutë.
Ata shprehen se OSHE i ka mbyllur tashmë blerjet për një periudhë afërsisht tremujore dhe, për këtë arsye, nuk pritet që në të ardhmen e afërt të ketë mbiçmim të ri të euros në ato përmasa që u vërejtën në fillim të marsit.
Forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron është shpejtuar disi pas datës 23 shkurt, kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje.
Në teori, shtrëngimi i ofertës monetare në lekë dhe një pritshmëri për rritjen e normave të interesit në monedhën vendase ndikojnë në rritjen e kërkesës për lekë, duke kontribuar në mbiçmimin e monedhës vendase në tregun e brendshëm valutor.
Megjithatë, ekspertët shprehen se ndikimi nga rritja e normës bazë është i vogël dhe për momentin nuk vërehet ndonjë tendencë e dukshme e agjentëve ekonomikë për të zhvendosur kursimet drejt lekut: të paktën, volumet e këmbimeve nuk dëshmojnë ndonjë tendencë të fortë në këtë drejtim.
Në mungesë të blerjeve të pritshme nga OSHEE, agjentët e tregut presin që leku të vazhdojë të jetë në pozita të forta ndaj euros në një të ardhme të afërt.
Leku i fortë në kursin e këmbimit me euron është një faktor që përgjithësisht i volit ekonomisë shqiptare, në një moment kur inflacioni nga tregjet e mallrave të importit është gjithnjë e më i fortë. Deri tani, kursi i këmbimit të lekut po i reziston mirë trysnisë që po ushtron kjo rritje çmimesh mbi Bilancin i Pagesave.
Për tremujorin e fundit 2021, deficiti i llogarisë korente u zgjerua me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me gati pesë herë krahasuar me tremujorin paraardhës.
Ndikimin kryesor e dha rritja e deficitit tregtar në mallra. Pavarësisht kësaj, kursi i këmbimit të euros në fund të vitit të kaluar preku nivelet më të ulëta në 14 vjet, në nivelin e 120.36 lekëve./Shqiperia ime.com.al