Bashkimi Europian po angazhohet për të çuar përpara të gjitha çështjet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sepse, siç komentoi edhe zëdhënësi për Çështje të Jashtme, Peter Stano, pa progres në dialog nuk do të ketë progres në rrugën e anëtarësimit në BE të të dyja vendeve.
Stano i bëri këto komente gjatë një konference për mediat, kur u pyet edhe për çështjen e reciprocitetit dhe para takimit Kurti – Vuçiç.
“Nuk i takon BE-së t’u imponojë zgjidhje partnerëve, veçanërisht partnerëve të cilët shprehen shumë qartë se objektivi i tyre strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Pra, procesi i anëtarësimit drejt BE-së, rruga drejt BE-së, është në fakt leva që BE-ja ka. Dhe ne, natyrisht, po e përdorim sepse çështjet që ju përmendët, po trajtohen mes palëve me ndihmën dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian. Shumë çështje që po shkaktojnë acarime në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” tha ai.
Sipas Stanos, lehtësim dialogu do të bëhet edhe të enjten e ardhshme, kur në Bruksel do të takohet Kurti dhe Vuçiçi.
“Pa progres në dialog nuk do të ketë progres në rrugën e anëtarësimit në BE të të dyja palëve. Pra, kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e tyre evropiane, është e rëndësishme të përparojnë në dialogun e lehtësuar nga BE. Sepse pa këtë nuk do të ketë përparim dhe objektivi i tyre strategjik nuk do të përmbushet. Nuk do të jetë e mundur” tha ai.
Çështja e targave është diskutuar edhe para një viti në Bruksel, ku palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme. Megjithatë, kryeministri Kurti vendosi më 1 Gusht të nisë zbatimin e vendimeve për targa dhe letërnjoftime, gjë që tensionoi situatën në veri të vendit.