1 shtator 2022, nisi zbatimi i marrëveshjes për dokumentet identifikuese mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa po formësohen kushtet edhe për atë të targave të automjeteve. Pa tensione, protesta e bllokime rrugësh në veri të Kosovës. Sukses falë koherencës e këmbënguljes për reciprocitet të Qeverisë së Kosovës, njëherazi dhe vetëpërmbajtjes së saj në hedhjen e hapave me maturi e në koordinim me partnerët amerikane dhe europianë.
- Në të njëjtën ditë, në kufi me Kosovën ushtria serbe zhvilloi ‘stërvitje’ ndërsa në Beograd çeli punimet dy ditore takimi i radhës i ‘Open Balkan’, në shqip ‘Ballkani i Hapur’.
‘Tre dashnoreve të Ballkanit të hapur’, Presidentit të Serbisë Vuçiç dhe Kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Kovaçevski, që në samitet më të fundit për anëtarësim në Bashkimin Europian ‘mbetën duke u ankuar si ata dhëndurët që nuk ju vjen nusja në dasmë’, po ju bashkohen për të dytën herë, kryeministri i Malit të Zi, shqiptari Dritan Abazoviç dhe Kryetari (për momentin) i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, serbi Zoran Tegeltija në vend të serbit tjetër nga Bosnja, Milorad Dodik i cili mori pjesë në samitin e qershorit.
- I pari është ish zv. Kryeministri që tradhtoi qeverinë e formuar me partitë proserbe në Malin e Zi, me të cilat fitoi zgjedhjet, dhe ritradhëtoi qeverinë e formësuar me partitë malazeze, me të cilat rrëzoi të parën dhe u bë kryeministër i të dytës, duke nënshkruar marrëveshjen me kishën ortodokse serbe për pronat, kundër interesave të kishës së pavarur ortodokse malazeze, akt për të cilin u shkarkua nga parlamenti malazez, por vijon ende në detyrë deri në formimin e një qeverie të re.
I dyti është kryeministër i një shteti multietnik në krizë e bllokim total nga qëndrimet e partive të pakicës serbe që synojnë ndarjen e këtij shteti në kufijtë etnike, me gjasa bashkim të Republikës Serbe me Serbinë, natyrshëm parti dhe shtetarë serbë me qëndrime të hapura pro ruse edhe në raport me konfliktin në Ukrainë.
Ndërsa mungojnë përfaqësuesit e BE dhe SHBA, këtë radhë takimit të ‘Ballkanit të Hapur’ i bashkohen edhe ‘dy dhëndurë të tjerë’, ministrat e Jashtëm të Hungarisë dhe Turqisë. I pari që ‘nusen europiane e ka marrë me kohë e vakt, por është në sherr të këtillë sa rrezikon deri divorcin’ e i dyti qe ‘ka më shumë se çerek shekulli i fejuar, por ende i pamartuar’.
Përtej metaforës së dhëndurëve rezulton se Hungaria e Kryeministrit Orban mban qëndrim ndryshe nga pjesa tjetër e BE, UK, US në konfliktin Ukrainë-Rusi, qëndrim që predikon paqen e negociuar US-Rusi, mosbesues edhe në rezistencën e Ukrainës me armët e NATO-s edhe në dobinë e masave bllokuese ekonomike ndaj Rusisë.
- Gjithashtu Turqia e presidentit Erdogan, ndonëse ka patur, ka e do të këtë plot mosmarrëveshje me Rusinë, në ambicien e saj për të qenë fuqi rajonale me pavarësi nga US, BE dhe NATO, i duhet të mbajë marrëdhënie të ekuilibruara me Rusinë për të patur këtë rol dhe/ose të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe NATO-s.
Tek kjo bashkësi pjesëmarrësish shquhet qartësisht një cilesi e përbashkët-ajo e nje qëndrimi jo negativ ndaj Rusisë, me spektër nuancash që nga ai mirëkuptues në atë të butë e deri tek ai miqësor.
Tek fundi i spektrit qëndron qartësisht Serbia e presidentit Vuçiç dhe Republika Serbe ne Bosnje e Dodik.
Në fillim të spektrit gradualisht po pozicionohet, qëndrim pas qëndrimi kryeministror, Shqipëria e Kryeministrit Rama.
Këmbëngulja e Kryeministrit tonë për ‘Ballkanin e Hapur’ duket se e ka tejkaluar me kohë edhe stadin e nevojës për të mos pranuar dështimin në raport me politikën e brendshme a në rang kombëtar, edhe stadin e protagonizmit në një rajon me 6 shtete të vogla ballkanike mbetur ende jashtë BE.
Tashmë duket qartë se ‘Ballkani i Hapur’ është një projekt që ndiqet me këmbëngulje nga Kryeministri ynë edhe pse është bërë fare e qarte se ky projekt edhe nuk gëzon mbështetje europiane e amerikane edhe gëzon mbështetje të plotë ruse, e për aq sa ju intereson, edhe kineze.
- Gjithashtu ‘Ballkani i Hapur’ jo vetëm nuk ka marrë mbështetje, por është konsideruar i dëmshëm nga Kosova unanimisht, opozita në Shqipëri, partitë malazeze dhe shqiptare në Mal të Zi, opozita maqedonase, përfshirë partitë opozitare shqiptare në këtë shtet, nga boshnjakët në unison dhe kroatet e Bosnjës gjithashtu, nga Kroacia e Sllovenia ndërsa shoqerohet me ‘ftohtesinë e vëmendjes në rritje’ të Bullgarisë e Rumanisë, rivale historike të Serbisë që në formimin e këtyre shteteve në gjysmën e dytë të shekullin të 19.
Ndërsa ‘Procesi i Berlinit’ nguli disa piketa modeste, por të gjithëpranuara nga 6 shtetet ballkanike, ‘Ballkani i Hapur’ riktheu ‘Ballkanin e Çarë’ në dy akse, i pari jo negativ ndaj Rusisë e i dyti qartësisht kundër saj, para e veçanërisht pas pushtimit në Ukrainë.
Me këmbënguljen dhe protagonizmin e tepruar për ‘Ballkanin e Hapur’ Kryeministri ynë po e zhvendos Shqipërinë nga aksi i dytë, në të parin.
Mirëkuptimi për Rusinë vjen vetiu kur mirëkupton Serbinë që bashkëpunon me Rusinë apo kur mirëkupton vendet që varen nga gazi rus, duke nënkuptuar se edhe Shqipëria do sillej njësoj nëse do kishte varësi te ngjashme. Më së fundi, ndërsa Europa e Bashkuar sapo mori vendim për pezullimin e levizjës së lirë të rusëve, kryeministri ynë vijon ti përmbahet lëvizjes edhe më të lirë, edhe më të nxitur, për turizëm, investimeve a pasaportizime, të ruseve në Shqipëri.
- Shto këtu që ‘Ballkani i Çare’, çahet edhe më shume kur Kryeministri ynë nuk shfaq asnjë mirëkuptim, as vetëpërmbajtje, e s’lë provokim pa bërë ndaj Bullgarisë (deri duke ndërhyrë në marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut) aleat historik i Shqipërisë që në themelim, dhe që historikisht ka përkrahur Shqipërinë që para pavarësisë nga Turqia, pas e në vijim, e se fundmi edhe Kosovën shtet të pavarur.
Ballkani ka qenë i çarë dhe i përçare. ‘Procesi i Berlinit’ tentoi ti mbyllë çarjet me durim, sistem, metode e mbështetje financiare. ‘Ballkani i Hapur’, me hapa të përshpejtuar e të njëanshëm po i hap më shumë çarjet historike mes dy akseve kryesore, pro e kundër serbo-ruse.
Shqipëria po ndërron aks. Kryeministri ynë më sakte. Timonieri ynë.