Fondacioni ALSAR pati këtë të enjte një mysafir të veçantë, ambasadorin e Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Tayyar Kağan Atay.
- Përfaqësuesin më të lartë diplomatik të Turqisë në Tiranë e priti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Ai i uroi mirëseardhjen mikut të çmuar dhe vijoi më pas me të një bisedë të ngrohtë dhe të frytshme. Z. Gurra e njohu ambasadorin e ri turk, në detyrë prej pak muajsh, me aktivitetin e gjerë të Fondacionit ALSAR.
Veprimtaritë humanitare, arsimore dhe kulturore, të shtrira në shumë vite dhe anembanë vendit e përtej kufijve, iu bënë të ditur shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Turqisë. Theks të veçantë në fjalën e z. Mehdi Gurra patën projektet për të ardhmen, për zgjerimin e ndikimit të Fondacionit ALSAR në shoqërinë shqiptare nëpërmjet kontributeve të qenësishme në fushat ku ai ushtron aktivitetin, në përmbushje të vizionit dhe misionit udhëheqës.
- Kryetari i Fondacionit ALSAR falënderoi me këtë rast partnerët turq në Turqi dhe në Europë për bashkëpunimet e suksesshme në projekte të përbashkëta.
Temë e rëndësishme e bisedës ishin dhe marrëdhëniet shqiptaro-turke, forcimi i tyre përmes rrugëve dhe angazhimeve të reja.
Tayyar Kağan Atay shprehu gëzimin për arritjet e fondacionit dhe uroi punë të mbarë, duke e bërë të qartë vullnetin për mbështetjen me vendosmëri dhe më tej të aktivitetit të ALSAR-it.
Ambasadori i pa nga afër ambientet e brendshme, për t’u ndalur në hapësirën më të re të fondacionit, kushtuar Botimeve ALSAR. Ai u njoh me tituj librash dhe me ambiciet e drejtuesve për t’i bërë sa më të kërkuara botimet e ALSAR-it.