Arrestimet e “peshqve” të mëdhenj filluan me Vangjush Dakon. Gjithë të tjerët janë në rresht, të hetuar e përgjuar deri në korda zëri. I kemi diskutuar publikisht këto zhvillime model kroat, prej atyre kohëve, ku askush nuk besonte. Që ardhja e ambasadorit të ri David J. Kostelancik, është një cunam, apo që është këtu prej ca kohësh me “urdhra” sekretë nga Presidenti Joe Biden, nuk e themi për 101 arsye objektive.
Meqë kujtesa këtej është blitz, shkrep e hidh në kosh të djegësave, miliona euro çdo ditë, le të ndalemi tek arsyeja e 101-të; presioni i fortë mbi SPAK-un dhe vazhdimësia e arrestimeve, ku çdo kryebashkiak apo ish, çdo zyrtar apo ish, do të shkojë para drejtësisë, si ‘çeçua’.
Hajdutët e të gjitha pushteteve, kanë krijuar identitetin e një “copë” populli që është i dënuar të mbyllë sytë kur e vjedhin, të mbyllë veshët kur e gënjejnë e të ecë me litarin në fyt drejt “arave” ku prin krye hajduti.
Non-gratat, pasi i bënë shërbimin më të vyer mafies, duke i vënë votat si roje të gjësë së vjedhur në fortesën antiamerikane, fatmirësisht kanë ndaluar vrapin para tabelës: “Ndalu beg se ka hendek!”.
Më i paprekshmi, Vangjush Dako, akullorja e Bablokut, u shkri nën rrezet e rezonancës së fshehtë amerikane.
Në këtë pritë, në këtë gjykim ku rri edhe pse-ja e pranimit të deri sotëm të non-gratave si natyrshmëri e përditshmërisë së përplasjeve shtresore të shoqërisë, është kjo një “dhuratë” e madhe, e paketuar tashmë për të gjithë, sekuestrimi i pasurive dhe arrestimi i tyre.
- Non-gratat dhe të gjithë hajdutët, prej kohësh janë të hetuar e përgjuar, në derë të burgut.
Këtë e themi, jo se nuk na “mban goja arra”, apo se do bëhen molla këtë vit se i “do Arushi”, por se “arrat” në dosjen e rëndë McGonigal-Babloku, janë aq “gurçe”, sa çekani i xhaxhi gjykatësit në Amerikë, po i sistemon me kujdes e shpejt priten të reja më lart se Vangjushi.
Në vëmendje dhe radhë për burg janë të gjithë.
Po ku u kapën, thua ti që ende dyshon tek krye hajduti që s’di ku të fsheh pasuritë e Sarajet e familjes së vet?
U kapën në derë të Evropës, duke mbyllur portat e integrimit, secili me miliona dollarë të vjedhur dhe u vunë në rresht, nën komandën; Para marsh, pas Vangjushit, për në burg!
Aty, tek portat e BE-së, Yuri Kim ndërrohet me David J. Kostelancik.
-Merri hajdutët miku im, kanë tendenca të hapura t’i mbajnë mbyllur dyert e perëndimit dhe fshehin pasuri e mashtrime.
Këtu fjalë janë të forta, ortek thuaj. Ambasadori i ri ka ushqyer besimin për “forcimin e luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Ja pra, pse edhe tejkalojmë vetveten, pse nuk themi dot asnjë fjalë më shumë se esenca e pritshmërive të shqiptarëve që “kullohet” tek referenca e sotme; Ambasadori David J. Kostelancik, vjen me “urdhrin” gjithë hajdutët pas Vangjush Dakos!/Pamfleti