Në sallën “Akernia” të hotel “Tirana International” në 1 qershor, u zhvillua dhënia e certifikatave me rastin e përfundimit të programit të kursit të gjuhës turke për vitin shkollor 2021-2022.
Të pranishmit e ardhur në ceremoni me ftesë të Fondacionit ALSAR, në bashkëpunim me Zyrën e Atasheut për Çështjet Arsimore të Ambasadës së Republikës së Turqisë në vendin tonë, ndoqën fjalët e rastit dhe programin artistik.
Ceremoninë e hapi, me fjalën e tij, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, më së pari ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, e mandej foli për ecurinë e zhvillimit të kurseve të gjuhës turke në vite dhe për rëndësinë e dhënë atyre.
Programi i ansamblit artistik “Hazis Ndreu” dhe numrat e artistit të cirkut, klounit të mirënjohur Met Selimi, krijuan atmosferë gazmore dhe e shndërruan në festë ceremoninë.
Fjala e ambasadorit të Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Murat Ahmet Yörük, u dëgjua me vëmendje dhe interes, teksa ai vuri në dukje miqësinë tradicionale që e karakterizon marrëdhënien mes dy popujve, turk dhe shqiptar, të ushqyer e forcuar dhe me projekte të tilla si ai i kurseve të gjuhës turke.
Certifikata dhe dhurata monetare u shpërndanë më pas për ndjekësit e kurseve të gjuhës turke në Tiranë dhe Kukës, të zhvilluara nën kujdesin e Fondacionit ALSAR.
Bërja e fotografive të përbashkëta shënoi dhe fundin e ceremonisë.
Kurset pa pagesë të gjuhës turke ndiqen në Tiranë nga jetimë dhe studentë, e në Kukës janë të hapura për nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme.