Aksidenti ku vdiq 22-vjeçarja, gjykata lë në arrest shtëpie kunatën e saj që ndodhet në spital. Ç’tha avokati

187

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për 19-vjeçaren, Denisa Dokun, e akuzuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Kujtojmë që Denisa Doku drejtonte makinën tip “Smart”, kur ndodhi aksidenti tragjik më datë 5 dhjetor në rrugën “Demokracia” në Kamzë.

Si pasojë e atij aksidenti, ka mbetur e vdekur 22-vjeçarja, Alida Spahiu.

Masa “Arrest shtëpie” ndaj 19-vjeçares është caktuar nga Gjykata me kusht që t’i hiqet patenta deri në përfundim të hetimit gjyqësor. Ndërkohë, prindërit e vajzës që ka ndërruar jetë deklaruan në Gjykatë se nuk duan që Denisa të ndiqet penalisht.

19-vjeçarja, e cila ndodhet në spital pasi mori plagë nga aksidenti, sipas dëshmisë së familjarëve është kunata e Alida Spahiut.

“Marrëdhëniet tona me familjen Doku janë të sqaruara. Kemi marrëdhënie familjare, pasi Alida ishte e fejuara e vëllait të Denisës”, kanë thënë familjarët nëpërmjet një deklarate të firmosur te noteri.

AVOKATI

Edhe avokati Bardh Koçi, seancën e djeshme kërkoi masë të lehtë sigurie ndaj klientes së tij, Denisa Doku. Ai ka thënë se vajza është studente dhe kërkon që t’i jepet mundësia të vazhdojë shkollën.

“Duhet të ndalohej edhe drejtuesi i automjetit “Benz” deri sa të dalë ekspertiza. Aksidenti ka ndodhur në momentin që automjeti “Smart” do të merrte kthesën. Drejtuesja e mjetit nuk ka qenë e alkoolizuar dhe nuk ka qenë me shpejtësi”, është shprehur avokati.

Makina tip “Smart” që drejtohej nga Denisa Doku është përplasur me dy mjete të tjera.

Menjëherë pas aksidentit, dy të plagosurat janë transportuar për në spital, por 22-vjeçarja nuk ka mundur t’ia dalë si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë.

Mbi 19-vjeçaren Deni Doku rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas organit të akuzës, ka qenë makina tip “Smart” ajo që është bërë shkak për aksidentin me pasojë vdekjen e një 22-vjeçareje.