Presidenti rus, Vladimir Putin është duke drejtuar ushtrinë e Rusisë në një luftë të rrezikshme në Ukrainë që kërcënon të shkatërrojë ekonominë e shtetit.
Ai rrallë është parë më i izoluar sesa në kohët e fundit, pasi shihet i ulur në distanca të mëdha edhe me këshilltarët më të afërt.
Si komandant i përgjithshëm, përgjegjësia për pushtim bie mbi të, mirëpo ai gjithmonë është mbështetur në një rreth besnik, pjesëtarët e të cilit po ashtu kanë nisur karrierat në shërbimet ruse të sigurisë, sipas transmetuesit britanik, BBC.
Pyetja është se kush e ka vëmendjen e tij në një prej momenteve më të rëndësishme të presidencës?
Sergei Shoigu – Ministër i Mbrojtjes
Sergei Shoigu ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin e Putinit për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për ta mbrojtur Rusinë nga i ashtuquajturi kërcënim ushtarak.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu .
Ai shkon në gjueti dhe në peshkim me Putinin në Siberi dhe në të kaluarën është parë si pasardhës i tij.
Mirëpo në takimin e fundit, ai është parë jashtëzakonisht larg presidentit rus, pavarësisht se është në krye të forcave të armatosura, andaj ka dyshime për vëmendjen që mund t’i japë atij Putini.
Presidenti rus, Vladimir Putin në takim me ministrin e Jashtë rus, Sergei Shoigu dhe Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse. 27 shkurt 2022.
Kjo fotografi është bërë bërë tri ditë pas nisjes së fushatës ushtarake, e cila është përballur me një rezistencë të papritur të Ukrainës.
“Shoigu ishte supozuar që të marshonte në Kiev, ai është ministër i Mbrojtjes dhe ishte supozuar ta fitonte atë”, ka thënë, Vera Mironova, specialiste e konflikteve të armatosura, në disa komente për transmetuesin britanik, BBC.
Ai është thënë të ketë qenë përgjegjës për aneksimin e Krimesë më 2014.
Shoigu ka qenë në krye të agjencisë ushtarake të inteligjencës (GRU), e cila është akuzuar për dy helmimet me agjent nervor, Noviçok – gati fatale – më 2018 në Sallsbëri dhe një sulm gati fatal ndaj kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny më 2020.
Valery Gerasimov – Shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse
Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse, ka qenë detyra e Valery Gerasimovit që të pushtojë Ukrainën dhe të kryejë këtë detyrë shpejt.
Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në fushatat ushtarake të Putinit prej kur ka udhëhequr ushtrinë në Luftën e Çeçenisë më 1999.
Gerasimov ka qenë në krye të ushtrisë edhe për luftën në Ukrainë, pasi ka mbikëqyrur stërvitjet ushtarake në Bjellorusi muajin e kaluar.
I përshkruar si “njeri pa buzëqeshje”, nga specialisti për Rusinë, Mark Galeoitt, Gerasimov raportohet se ka luajtur rol të rëndësishëm në fushatën ushtarake për të aneksuar Krimenë.
Në disa raportime sugjerohet se ai është lënë anash për shkak të ritmit të ngadalshëm të pushtimit në Ukrainë dhe për shkak të moralit të ulët të trupave.
Nikolai Patrushev – Sekretar i Këshillit të Sigurisë
“Patrushev është njeriu me qasjen më agresive pasi mendon se Perëndimi ka synim të shpëtojë nga Rusia”, ka thënë Ben Noble, profesor i asocuar për Politika Publike në Universitetin College të Londrës.
Ai është një prej tre personave më besnikë të Putinit, i cili ka shërbyer për të prej viteve 1970 në Shën Petersburg, kur qyteti i dytë më i madh i Rusisë është njohur ende si Leningrad.
Dy mbështetësit tjerë janë shefat e shërbimit të sigurisë: Alexander Bortnikov dhe kreu i inteligjencës së huaj, Sergei Naryshkin.
Të gjithë personat afër Putinit njihen si ‘siloviki’, apo përforcues, mirëpo kjo është treshja më e afërt e tij.
Pak persona kanë ndikim më shumë te presidenti rus sesa Nikolai Patrushev.
Ai, jo vetëm që ka punuar me të në shërbimin sovjetik të inteligjencës (KGB) gjatë periudhës së komunizmit, por ai edhe e ka zëvendësuar si udhëheqës të organizatës pasardhëse, Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) në periudhën 1999-2008.
Kanë qenë vetëm tri ditë para pushtimit kur Patrushev, në një takim të çuditshëm të Këshillit të Sigurisë në Rusi, ka bërë të ditur publikisht qëndrimin e tij se “qëllimi konkret” i Shteteve të Bashkuara ka qenë shpërbërja e Rusisë.
Vëzhguesit e Kremlinit kanë thënë se presidenti i beson informacionit që e pranon nga shërbimet e sigurisë më shumë se secilit burim tjetër dhe Alexander Bortnikov konsiderohet si pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit.
Një tjetër aleat i vjetër nga KGB, ai ka udhëhequr FSB-në kur Nikolai Patrushev ka marrë detyrë tjetër.
Të dy konsiderohen të afërt me presidentin.
Alexander Bortnikov – Shef i Shërbimit Federal të Sigurisë.
“Nuk mund të themi me siguri të plotë kush bën propozime dhe kush nga ta merr vendime”, ka thënë Ben Noble, për transmetuesin britanik, BBC.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) ka ndikim të konsiderueshëm në shërbime tjera për zbatim të ligjit dhe madje ka edhe forcat e veta speciale.
Bortnikov është i rëndësishëm, mirëpo nuk ka autoritet për të sfiduar liderin rus, apo për t’i dhënë këshilla sikurse të tjerët, beson Andrei Soldatov.
Sergei Naryshkin – Shef i inteligjencë së huaj
Duke përmbyllur treshen e famshme të Leningradit, Sergei Naryshkin ka qëndruar afër presidentit në pjesën më të madhe të karrierës.
Naryshkin ka qenë për kohë të gjatë si hije e presidentit rus: në Shën Petersburg më 1990, më 2004 në zyrën e Putinit dhe më pas është bërë kryetar i Parlamentit.
Ai udhëheq edhe Shoqërinë Historike të Rusisë dhe besohet se është shumë i rëndësishëm në diskutimet ideologjike me Putinin.
Në një intervistë që ka dhënë vitin e kaluar për BBC-në, ai ka mohuar që Rusia ka kryer helmime dhe sulme kibernetike, apo që ka ndërhyrë në zgjedhjet e shteteve tjera.
Sergei Lavrov – Ministër i Jashtëm rus
Për 18 vjet, ai ka qenë diplomati më i lartë i Rusisë, duke prezantuar shtetin para botës, ndonëse besohet se nuk ka shumë rol në vendimmarrje.
Sergei Lavrov, 71-vjeçar, vërteton se Putin varet nga figurat e së kaluarës.
Ai është operator dinak: muajin e kaluar ka tentuar të përqeshë Sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss për njohuritë e saj për gjeografinë ruse dhe një vit më parë ka tentuar të përulë shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ai ka qenë prej kohësh i anashkaluar për çdo gjë që ka të bëjë me Ukrainën, mirëpo pavarësisht reputacionit të tij armiqësor, ai ka çuar përpara idenë e bisedimeve diplomatike për Ukrainën, të cilën presidenti rus e ka injoruar.
Valentina Matviyenko – Shefe e Këshillit të Federatës
Si grua e rrallë që merr pjesë në rrethin e Putinit, ajo ka mbikëqyrur votimin e Parlamentit për angazhimin e forcave ruse jashtë shtetit, duke i hapur rrugën pushtimit.
Valentina Matviyenko është një tjetër besnike e Putinit nga Shën Petersburgu, e cila ka kontribuar edhe në aneksimin e Krimesë më 2014.
Mirëpo ajo nuk konsiderohet vendimmarrësja parësore.
Sikur edhe me pjesën tjetër të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë në Rusi, roli i saj ka qenë të krijojë një përshtypje kinse ka pasur diskutime, kur Putin veçse e ka ndarë mendjen.
Viktor Zolotov – Drejtor i Gardës Kombëtare
Si ish-roje e presidentit, Zolotov tani udhëheq Gardën Kombëtare të Rusisë, Rosgvardia – e cila është themeluar nga Putini gjashtë vjet më parë si ushtri personale e tij, e llojit të rojës së Perandorisë Romake.
Duke zgjedhur rojën e tij personale për ta udhëhequr Gardën, Putin e ka garantuar besnikërinë e Zolotovit.
Vera Mironova beson se plani origjinal rus ka qenë pushtimi i Ukrainës brenda ditëve dhe kur ushtrisë nuk i ka ecur plani, Garda Kombëtare e Rusisë ka marrë në dorë udhëheqësinë.
Mirëpo lideri i Gardës Kombëtare nuk ka trajnim ushtarak dhe forca e saj nuk ka tanke.
Kë tjetër dëgjon Putini?
Kryeministri rus, Mikhail Mishustin tani ka detyrë të pashmangshme shpëtimin e ekonomisë, mirëpo ka pak ndikim sa i përket luftës.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin dhe kreu i gjigantit shtetëror të naftës, Rosneft, Igor Sechin, janë të afërt me presidentin, sipas analistit politik, Yevgeny Minchenko.
Vëllezërit miliarderë, Boris dhe Arkady Rotenberg, të cilët kanë qenë miq të fëmijërisë së Putinit, janë kthyer në besnikë të tij po ashtu.
Më 2020, revista amerikane Forbes, i ka shpallur ata si familjen më të pasur në Rusi. REL./Shqiperiaime.com.al