Nga Ola Xama
Nëse në vend të shtetit shqiptar do të ishte një sipërmarrës dhe do të vendoste që të hynte në biznes me kompaninë Eagle Hills për projektin e ndërtimit Durrës Yacht Marina llogaritë do të ishin bërë ndryshe dhe jo ashtu siç i bënë specialistët e niveleve më të larta të administratë. As si konsulenti që u pagua 300 mijë euro për këtë punë dhe as siç i miratoi në fund fare Kuvendi i Shqipërisë, përfaqësuesi i sovranit.
- Le të llogaritim fillimisht sa është kontributi që jep ASDC-ja, kompania shtetërore që ka 33% të aksioneve në projektin “Durrës Marina”. 800 mijë m2 tokë e cila sipas referencës të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2014 të Hartës së Tokës ka një çmim 17.898 lekë/m2 ose 155 euro/m2,
- Ky kontribut në natyrë do të vlente 124 milion euro.
Pala shtetërore gjithashtu fal dy taksa: taksën e ndikimit në infrastrukturë që është 4% e vlerës së investimit që i korrespondon një shume 84 milion euro dhe detyrimin për strehimin social që është 3% e sipërfaqes së ndërtimit. Nëse strehimi social llogaritet vetëm me çmimin e shitjeve të vitit të parë 1500 euro/m2, vlera e falur që mund të konsiderohej kontribut në kapital për projektin është 58.5 milion euro.
- Shteti gjithashtu ngarkohet edhe me detyrimin e pastrimit të territorit, vlerësim i papërfshirë në biznes plan, por që vlerësohet me një kosto të përafërt 25 milion euro. Një tjetër detyrim që do të ketë aksioneri shtetëror është edhe ndarja e kostove të interesit të kredisë 80 milion euro që do të merret për projektin, e cila sipas përqindjes së aksioneve i korrespodon një vlere prej 8.25 milion euro.
Në total kontributi në investim i palës së shtetit, është 299.75 milion euro. Nga këto para që investohen, në fund të 20 vjetëve do të merren 282 milion euro.
Pra, do të humbim 17.75 milion euro. Norma e kthimit të investimit del negative -5.92%, ose -0.3% në vit. Këtu nuk janë llogaritur 50.5 milion euro kredi të marra për ndërtimin e Terminalit të Pasagjerëve dhe rregullimin e infrastrukturës së portit, grantet e BE-së dhe kosto për financimin e portit të ri (180 milion euro për palën shtetërore), apo përgjysmimin e të ardhurave nga aktiviteti i portual nëse projekti i ri është në partneritet me privatin.
Le të shohim pak modelin financiar të kompanisë Eagle Hills. Investon 80 milion euro cash të vetat dhe 80 milion euro janë kredi që i ka bashkë me ASDC, ku kosto interesi sipas aksioneve i takon 16.75 milion euro.
- Në total kontributi në kapital është 96.75 milion euro. Në fund do të marrë 572.5 milion euro dhe do të fitojë 478.75 milion euro. Norma e kthimit mbi investimin është 494%.
Prandaj vazhdoj të mendoj se ky projekt nuk është në interes të shtetit. E vetmja anë pozitive është përdorimi i emrit të themeluesit të Emaar Mohamed Alabbar, por që të blesh 478 milion euro një emër më duket shumë shtrenjtë.