Nga B.Hoxha/MONITOR
Projektet e inceneratorit të Tiranës dhe të Elbasanit, vitin e kaluar, morën 1.8 miliardë lekë (15,4 mln euro) financime nga buxheti i shtetit, ku rreth 1.4 miliardë lekë u dhanë për impiantin e Tiranës dhe 376 milionë lekë për atë të Fierit.
Të dhënat janë publikuar nga Ministria e Financave në listën vjetore të investimeve publike dhe pagesat ditore të thesarit.
- Ndonëse projektet e dy inceneratorëve kanë të njëjtin qëllim, djegien e mbetjeve, Ministria e Financave e ka klasifikuar inceneratorin e Fierit te projektet e investimeve publike, ndërsa atë të Tiranës e ka klasifikuar te shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes. Pagesat buxhetore për këtë projekt publikohen në pagesat ditore të thesarit.
Duke marrë në konsideratë financimin për impiantin e Tiranës që, për vitin 2022 ishte 14,2 miliardë lekë (12,2 mln euro) sipas databazës “Open Data Albania”, ky projekt renditet në krye të top listës për madhësinë e financimit që mori gjatë vitit buxhetor 2022.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, nga janari në nëntor 2022, projekti më i financuar ishte rindërtimi i banesave individuale që u shemben nga tërmeti i vitit 2019 me rreth 4,7 miliardë lekë, projekti i dytë më i financuar ishte ndërtimi i tunelit të LLogarasë me 4,6 miliardë lekë, projekti i tretë ishte kontrata e rrugës së Arbrit me 2,9 miliardë lekë.
- Pastaj në renditje vijnë pagesat e inceneratorit të Tiranës dhe Fierit, me rreth 1.4 miliardë lekë për 11-mujorin 2022 dhe 1.8 miliardë lekë për të gjithë vitin 2022.
Pagesat për inceneratorët janë shembulli më tipik i abuzimit me fondet publike.
Projektet të cilat janë në hetim nga SPAK dhe për të cilët janë arrestuar dhe janë në hetim dhjetëra persona, janë pasqyra e shpërdorimit masiv që nga ideja, fizibiliteti, projektet dhe mënyra se si ato janë shndërruar në një grope të zezë për taksat e shqiptarëve.
Projektet janë duke marrë pagesa të rregullta nga buxheti në kundërshtim me parimet dhe ligjet e Menaxhimit buxhetor ku pagesat për një kontratë investimesh nuk bëhen pa u mbështetur në një situacion punimesh.
- Menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë e Tiranës bëhet në të njëjtën mënyrë si para 10 vitesh, duke bërë mbulimin me dhe pa asnjë proces riciklimi dhe incenerimi, teksa fatura e përpunimit të tyre është disa fish më e lartë.
Prej së paku katër vitesh, tre inceneratorët, i Elbasanit, Fierit dhe tani ai i Tiranës renditen në krye të listës së investimeve qeveritare për nga vlerat e larta të financimit, por duket se ato nuk i kanë shërbyer aspak qëllimit për të cilin janë investuar taksat e shqiptarëve.
- Vlera progresive e financimit të tyre deri në fund të 2022 i ka kaluar 100 milionë eurot.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT treguan se gjatë vitit 2021, vetëm 2 për qind e mbetjeve të gjeneruara në shkallë vendi u përpunuan nëpërmjet inceneratorëve. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me financimet që janë akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
- Pa nisur pagesat për inceneratorët, qeveria shpenzonte afërisht 3 milionë euro në vit për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2015, programi i menaxhimit të mbetjeve urbane u financua me 400 milionë lekë, rreth 3 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar me 15,4 milionë euro kanë përfituar vetëm inceneratorët.