RECETE GATIMI- Kallamare të mbushura

Grekët janë mjeshtra, që dinë ç’të bëjnë me ushqimet e detit! Tani që vera është në fillimet e saj, duhet të mendojmë më tepër për të pasuruar tryezën tonë me çfarë ka deti për të ofruar, nëse nuk e kemi bërë gjatë stinëve të tjera të vitit.

Vërtet peshku është i shijshëm, i shëndetshëm, por besoj se kur themi për shijen e tij neutrale, një pjatë e veçantë, si kallamarët e mbushur e pl;tëson më së miri  recetën e gatimeve të detit.

 

Përbërësit (për 5-6 persona)

1 ½ kg kallamarë të mëdhenj

1 filxhan oriz

2 qepë të grira

10 lugë vaj ulliri

½ gote verë e bardhë

1 tufë majdanoz i grirë

kripë, piper

Përgatitja

  1. Pastroni kallamarët, hiqjuni kockën, sytë dhe pjesët e forta dhe lajini mirë.
  2. Prisni tentakulat e kallamarëve në pjesë të vogla dhe skuqini në tigan me 5 lugë vaj bashkë me qepët, derisa tentakulave t’u shterojë lëngu dhe qepët të zbuten dhe marrin ngjyrë disi të artë.
  3. Shtoni në tigan orizin dhe përziejeni për 1 minutë, më pas shtoni verën e bardhë, për ta zier paksa, pa avulluar të gjithë verën. Shtoni ¾ e majdanozit të grirë, kripë e piper sipas shijes tuaj dhe ziejini edhe për 2-3 minuta. Hiqini nga nxehtësia.
  4. Mbushni kallamarët me këtë përzierje deri në ¾ e tyre, duke lënë vend kur orizi të fryhet. Mbyllni grykët e kallamarëve me një kunjë dhëmbësh.
  5. Shtrojini kallamarët me vajin e mbetur të ullirit në një tigan të gjerë dhe skuqini për pak nga secila anë, sa t’u jepni ngjyrë. Mbushni tiganin me ujë derisa t’i mbuloni kallamarët në ¾ e tyre, ulni nxehtësinë, vendosuni kapak dhe lërini të ziejnë. PS: Mund të zgjidhni t’i zieni edhe në salcë domatesh, por kjo është receta bazike për kallamarë të mbushur, për të qëndruar krejtësisht te shija e tyre.
  6. Shërbejini të plotë ose të prerë në rrathë të trashë, pasi t’u keni hedhur sipër pjesën e mbetur të majdanozit.

Author: jehona