ALSAR/ Dhuron libra në Kolegjin Universitar “Pavarësia” në Vlorë

Vargut të institucioneve me të cilat është bashkëpunuar për realizimin e projektit afatgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”, iu shtua dhe Kolegji Universitar “Pavarësia” në Vlorë.

Me një organizim të përbashkët të Fondacionit ALSAR dhe Kolegjit Universitar “Pavarësia”, u dhuruan për këtë institucion të arsimit të lartë dhe për studentët e tij rreth 50 tituj librash, në dhjetëra kopje.

Në ceremoninë e realizimit të projektit, zhvilluar në sallën e konferencave, iu drejtua të pranishmëve drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku.

Pas përshëndetjeve të rastit dhe shprehjes së kënaqësisë për këtë bashkëpunim të parë midis dy institucioneve, ai i njohu pjesëmarrësit me aktivitetin e gjerë të Fondacionit ALSAR, dhe u foli atyre për angazhimet në fushën e arsimit e të kulturës.

Në lidhje me projektin e dhurimit të librave, z. Rusheku tha se, “’Libri, dhurata më e çmuar’ është një prej projekteve të shumta kulturore të fondacionit tonë, bartëse e synimit për pasurimin e bibliotekave të institucioneve të ndryshme anembanë vendit, për tejçimin e dijes, dhe për ardhjen në ndihmë studentëve me literaturë të nevojshme.”

“Përmes këtij projekti,” shtoi ai, “kemi shpërndarë dhjetëra tituj dhe qindra libra brenda dhe jashtë vendit, të gjitha botime të Fondacionit ALSAR. Jemi pritur kudo mirë dhe kemi marrë mirënjohje për këtë kontribut.”

Aktivitetin e përshëndeti dhe zëvendësrektori i Kolegjit Universitar “Pavarësia”, z. Siri Hoxha, i cili i dorëzoi drejtorit administrativ të Fondacionit ALSAR dhe një certifikatë mirënjohjeje për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

I përbashkët ishte urimi për bashkëpunime të tjera në të ardhmen, tanimë me rrugën të hapur.

Librat u pritën me mjaft interes nga studentët dhe personeli mësimor, kureshtarë për çdo titull.

 

Author: jehona