“Tamara Qendra e Kelmendit, dhe porta hyrëse drejt Alpeve Shqiptare

Tamara është një vendbanim në ish-bashkinë Kelmend, qarku i Shkodrës, në veri të Shqipërisë. Në reformën e qeverisjes vendore 2015 ajo u bë pjesë e bashkisë së Malësisë së Madhe.

 

Me një të kaluar për të mos u përsëritur, sot ju gjeni vizitorë që ecin në rrugën për këmbësorë paralel me lumin. Ju mund të shijoni një kuzhinë tradicionale në restorantet aty pranë, shoqëruar me një panoramë piktoreske. Pasdite, mund të takoni turistë nga vende të ndryshme, të cilët thonë: “Ky është bërë një ndalesë e domosdoshme ditore. Nesër do të shkojmë në Lepusha. Të them të drejtën, ne nuk e njihnim këtë qytet më parë. Vazhdonim të ngjiteshim me makinë sepse aty nuk kishte asgjë. Klima është malore, por e butë dhe ushqimi i shijshëm. ”

Tamara është qendra administrative e Kelmendit që më 1935. Shtrihet buzë Cemit të Selcës, aty ku Cemi i Selcës bashkohet në një lumë të vetëm me Cemin e Vuklit, në lartësi 235 m mbi nivelin e detit. Emri i fshatit vjen nga Tamara, e shoqja e Vezirit të Shkodrës, me fondet e së cilës u ndërtua në gjysmën e dytë të shek.XVIII një urë e re mbi Cemin e Vuklit, 75 m. Kjo urë mori emrin e Tamarës dhe po këtë emër mori edhe fshati i mëvonshëm. Më parë Tamara ka qenë kullota dimërore e Selcës, kurse më vonë qendër administrative. Më 1945 kishte 19 ekonomi me 116 banorë, me 8.6 ha. Ndërsa sot, në këtë sipërfaqe toke (8.7 ha) ka rreth 500 banorë. Banorët e fshatit janë të ardhur nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja etj. Eshtë një fshat i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve. Qendra ka shtëpi dhe apartamente banimi. Në mes tyre është shkolla e mesme, me një kënd të mirë sportiv, dhe, më tej, spitali dykatësh i zonës, kisha, dyqane, bar-restorante etj.

Drejtimi kryesor ekonomik është blegtoria. Aty ka dhen, lopë dhe njëthundrakë. Nga bimët pëmendim kultura si: misër, jonxhë dhe perime. Gjithashtu rritet: fiku, kumbulla, mani, pjeshka, thana dhe hardhia. Dimri në Tamarë është relativisht i ftohtë dhe vera e nxehtë. Masat e ngrohta ajrore që vijnë nga Shiroku nuk lejojnë ashpërsimin e klimës si në pjesët e tjera të Kelmendit.

Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve. Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha si drurë karakteristikë për luginat alpine. Të zë syri gjatë luginës shegë të egra. Lumi i jep bukuri fshatit. Në Cem mund të gjuhet troftë e mrekullueshme.

Disa shpella, si: Nënfateshë, e Bunëve të Maçurkut, Lugjeve te Bardhit, etj., i përkasin kohës parahistorike të Arbërit. Shpella me turistike deri tani është ajo e Malqe Gradës, 1,165 m mbi nivelin e detit, me gjatësi rreth 310 m. /123albania

Author: admin