Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pak ditë më parë bëri një deklaratë e cila u bë virale, kur dha një shifër se sa duhet të jenë të ardhurat mujore të një personi për të mos u konsideruar i varfër në situatën ku po jetojmë.
“Nëse pyetja referohet sa duhet të gjenerojë një individ për të mos u konsideruar i varfër, kjo shifër është diku tek 130-140 euro për person”, tha Delina Ibrahimaj në një studio televizive.
Por teksa ishte këtë të premte në komisionin e Ekonomisë, ku po shqyrtohet propozimi i qeverisë për ndryshimin e buxhetit të vitit 2022, ministrja Ibrahimaj theksoi se në deklaratën e saj nuk ka thënë minimumin jetik, por ka cituar një statistikë sipas përllogaritjeve që bën INSTAT, instituti i statistikave.
Ajo që vlen të theksohet është që sot, në këtë deklaratë, shifra që i duhet një personi në Shqipëri për të mos u konsideruar i varfër, ulet nga 130-140 euro, në 126 euro, gjithmonë sipas INSTAT, tha ministrja.
“Ju bëtë një referencë për minimumin jetik në asnjë moment unë nuk kam deklaruar minimumin jetik. Më është bërë një pyetje për një tregues statistikor që publikohet nga INSTAT që i takon kufirit të varfërisë dhe iu jam referuar kufirit të varfërisë të llogaritur nga INSTAT që për frymë është 126 euro, mund t’i referoheni INSTAT me mënyrën e llogaritjes së tyre që është metodologji e eurostat që aplikohet në gjithë vendet e rajonit.
Pra nuk jam shprehur për llogaritje të ministrisë së financave dhe ekonomisë por për një tregues statistikor të publikuar nga INSTAT“, u shpreh Ibrahimaj./Shqiperiaime.com.al