Video/ ‘Jam Tatiana Bajraktari…’ Fjalimi prekës i ukrainases që drejton biznes në Shqipëri

Përshëndetje të gjithëve jam Tatiana Bajraktari”, kështu iu drejtua të ftuarave në aktivitetin e RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), udhëhequr nga Majlinda Bregu, një sipërmarrëse që operon në Shqipëri.

Sikur të mos vazhdonte më tej me fjalinë: “Jam nga Ukraina, por prej shumë vitesh jetoj në Shqipëri…”, askush s`do ta kuptonte që zonja nuk ishte shqiptare – meritë kjo e shqipes fluente – mbiemrit shqiptar prej bashkëshortit dhe emrit që është preferuar ndër vite edhe për vajzat në Shqipëri.

Shqipëri.

“Drejtoj biznesin tim “Aler Travel”. Kam nderin të jem sot pjesë e këtij aktiviteti dhe falenderoj Znj. Majlinda Bregu. Sot, për vendin tim Ukrainën dhe për popullin ukrainas janë ditët më të vështira. Sot ata luftojnë kundër agresionit rus dhe unë shpresoj dhe besoj që kjo gjë do të mbyllet shumë shpejt. Roli i gruas në jetën e përditshme është shumë i rëndësishëm, por sot një grua e Ukrainës nuk është vetëm nënë, motër, ose bashkëshorte, por edhe mbrojtëse e vendit të vet. Shumë gra ukrainase kanë marrë armë dhe po luftojnë kundër rusëve. Unë uroj që kjo gjë të mbyllet sa më shpejt. Gratë janë një forcë e madhe, ndikuese për ekonominë e vendit të vet.

Doja të falenderoja shumë të gjitha vendet që kanë mbështetur Ukrainën sot, sidomos vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë”, tha Tatiana.
Gjatë fjalës së saj foli e përlotur edhe për motrën që ka në Ukrainë, në këto ditë që nuk janë të lehta.

Aktiviteti i RCC, nën drejtimin e Sekretares së Përgjithshme, Majlinda Bregut mblodhi sot gra të suksesshme në fushën e biznesit. Qëllimi ishte prezantimi i “Rrjetit Rajonal të Grave Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor, “Women Who Launch – “Bëj biznes si grua”. Një rrjet që do të rrisë partneritetet e fuqizojë ekonomikisht gratë e vajzat në rajon.
Gjatë aktivitetit u ndanë edhe disa çmime për gratë që bëjnë suksesshëm biznes në rajon./Shqiperiaime.com.al

Author: admin