Juxhin Xhaja i “stemës” së FIFA_s me asistentët Rejdi Avdo dhe Nertil Bregasi do të mbajnë drejtësinë e një takimi kaq emocional.
Gjithçka është gati. “Air Albania” do të presë mbrëmjen e sotme një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit shqiptar, ku derbi Tirana-Partizani do të “ndez” kryeqytetin, ndërsa pritet të vishet me ngjyrat e skuadrës që do të arrijë të triumfojë përballë rivalëve të përjetshëm.
Në orën 19:00, skuadra e Xhovani Kolelës do të vihet përballë asaj të Orges Shehit, në një sfidë që do të jetë një spektakël i vërtetë, ku emocionet në fushë dhe në tribuna nuk do të mungojnë.
Derbi është derbi dhe asgjë nuk mund të parashikohet, por ajo që dihet është se skuadrat do të japin gjithçka në fushë për të fituar.
Bardheblutë vijnë në këtë ndeshje pas fitores ndaj Teutës, teksa nuk mposhten prej 3 ndeshjesh, disfata e parë dhe e fundit ishte kundër Vllaznisë në stadiumin “Selman Stërmasi” me shifrat 1-2.
Edhe “Të Kuqtë” gjithashtu e kanë provuar shijen e humbjes, teksa ishte përpara 2 takimeve, ajo ndaj Erzenit në stadiumin “Elbasan Arena” me rezultatin minimal 0-1.