Varfëria nxit –“TË GJITHË DUAM TË IKIM” nga Shqipëria

Në malësinë e veriut nuk ka punë. Në kryeqytet, korrupsioni u bllokon rrugën drejt suksesit të rinjve të diplomuar – ndaj nuk është çudi që largohen nga vendi.

Në rrugën e ambasadave në Tiranë, Ambasadori i Madhërisë së tij, Alastair King-Smith, është krejt i mbytur në punë.

Kriza në marrëdhëniet mes dy vendeve, e shkaktuar nga varkat që kalojnë La Manshin me një numër gjithnjë në rritje të shqiptarëve, pasqyrohet edhe në kalibrin e zyrtarëve, ushtarakë dhe politikë, që vizitojnë misionin britanik.

  • Javën e kaluar ishte Gjenerali Lejtnant Stuart Skeates, veterani i Afganistanit që tani drejton përpjekjet për të frenuar kalimin, i cili shkoi në Tiranë. Këtë javë pritet sekretarja e brendshme, Suella Braverman, me shpresën se do të zbusë zemërimin që shkaktoi me deklratën se shqiptarët po pushtonin Britaninë e Madhe .

Të enjten, ndërsa mosmarrëveshja u përshkallëzua dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e krahasoi retorikën e qeverisë britanike me “ulërima nga çmendina”, punëtorët po rilyenin barrierat e vazove para ambasadës së King-Smith.

Por qendra e vërtetë e mosmarrëveshjes që e ka shtyrë Londrën të dërgojë delegacionet e saj nuk është në Tiranë, por rreth 100 milje në verilindje, në malësinë e goditur nga varfëria, ku shumë ende ëndërrojnë të shkojnë në Dover me gomonet që Braverman është e vendosur të ndalojë.

  • Dikur një vend ku rraseshin të dënuarit e të burgosurit politikë gjatë komunizmit, në këtë terren të ashpër prej nga shihen të ashtuquajturat Bjeshkët a Namuna në Alpe ata që kanë fatin të kenë punë sigurojnë jetesën me paga mesatare baras me vetëm 270 euro në muaj.

Në qytetin e Kukësit, i cili pranoi mijëra refugjatë shqiptarë etnikë gjatë luftës në Kosovë më 1999 – që erdhën thuajse të gjithë vetëm me rrobat e trupit – thuhet se të rinjtë e të rejat ndjekin kurse intensive të gjuhës angleze, hapi i parë përpjekjeve, shpesh  të rrezikshme, për t’u bashkuar me miqtë dhe të afërmit në Britani. Platformat e medias sociale të përdorura nga trafikuesit që operojnë në La Mansh kanë luajtur javët e fundit me trazirat politike në Britani si momenti më i përshtatshëm për të provuar kalimin.

“Shumë nga shqiptarët që fillimisht shkuan Angli hiqeshin si azilkërkues kosovarë”, thotë Dr. Ilir Gëdeshi, eksperti kryesor i migracionit në vend, duke shpjeguar lidhjet e pazakonta të rajonit me Britaninë.

Gëdeshi, i cili drejton Qendrën për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë, ka kaluar pjesën më të madhe të tri dekadave që kur Shqipëria postkomuniste u hap me botën e jashtme duke studiuar flukset migratore. Portretizimi që Braverman iu bëri bashkatdhetarëve të tij si kriminelë të ashpër e ka prekur shumë.

“Këto fjalë për pushtim, për banda, është shumë e gabuar”, thotë. “Nëse nuk do të kishte pasur krizë ekonomike në Greqi apo Itali, shumë do të shkonin ende atje. Ajo që është e qartë është se në veri është varfëria, mungesa e shpresave, ajo që qëndron pas valës së fundit”.

Pothuajse të gjithë shqiptarët që vlerësohet se kanë hyrë në Britani këtë vit, 12 mijë, besohet se kanë ardhur nga malësia e veriut. Shumica e tyre mund të kenë vetëm arsim fillor, sipas Gëdeshit.

Kryebashkiaku i qytetit verior të Hasit ka premtuar të ngrejë një statujë të Mbretëreshës Elizabeth II në shenjë mirënjohjeje për gjithçka që Britania ka sjellë në zonën e tij në formën e remitancave.

Shqipëria e Veriut u la jashtë vëmendjes edhe kur Enver Hoxha, diktatori stalinist që mori pushtetin më 1944, u përpoq të ndryshonte vendin. Jugori Hoxha nuk iu besonte klaneve fisnore të veriut. Kështu, në kohën kur malësitë dolën nga gati pesë dekada sundim komunist në fillim të viteve 1990, vizitorët u përballën me një botë të mjerë fabrikash boshe, pallate të pasuvatuara, banditizëm e sherre.

Optimizmi i krijuar nga ndërtimi i një aeroporti ndërkombëtar në Kukës, i stadiumit të futbollit me 8000 vende dhe i rrugëve të reja nuk arriti të përmirësonte ndjesinë e mundësive personale.

“Shumica e kushërinjve të mi janë në Britani”, thotë 24-vjeçarja nga Burreli, Era Koleci, në qendrën moderne kulturore ku punon tani në kryeqytet. “Personalisht nuk dua të largohem, por kështu funksionon. Kushërinjtë tërheqin kushërinjtë që tërheqin kushërinjtë. Tre nga kushërinjtë e mi shkuan në tre muajt e fundit. Ata shpenzuan nga 3000 paund secili për kalimin me varkë. Nëna ime thotë se mbërritën mirë. Nëse bëjnë jetë të mirë, pse jo”?

Koleci, e cila ka studiuar administrim biznesi, është njëra nga ata të rinj shqiptarë që duan t’i kthejnë mbrapsht vendit të tyre. Në zyrat ultra-moderne të Kongresit Kombëtar të Rinisë, ku stafi po ecën me sukses pasi Tiranës iu dha titulli i kryeqytetit rinor evropian të këtij viti, ka edhe shumë të tjerë.

“Mbi një mijë të rinjsh nga e gjithë Evropa na kanë vizituar këtë vit dhe kanë mbetur shumë të befasuar nga pasioni ynë dhe gjithë puna që po bëjmë”, thotë 28-vjeçarja Dafina Peçi, sekretare e përgjithshme e Kongresit, duke shprehur pakënaqësinë për stereotipin e imazhit për shqiptarët në Angli. “I yni është një vizion për të ardhmen, por ka shumë kontradikta në vendin tonë dhe një ndryshim të madh midis zonave urbane dhe rurale”.

Peçi është tipike për një brez të ri shqiptar që kërkon përmirësim të qeverisjes. “Mendoj se problemi ynë më i madh është mungesa e gatishmërisë për të folur sinqerisht për gjërat që duhet të na shqetësojnë neve si shoqëri”, thotë ajo. “Është e tmerrshme të portretizohesh si një komb që lejon migrimin e paligjshëm, kur të gjithë e dimë se largimi nga zona e rehatisë, nga gjuha, nga familja, nga kujtimet që ke pasur, nënkupton një nivel dëshpërimi”.

  • Në një vend me një popullsi më të vogël se Uellsi, thuhet se çdo familje në Shqipëri tashmë ka një anëtar jashtë vendit. Sondazhet e njëpasnjëshme kanë treguar se të paktën 60% duan të largohen.

Ndërkohë që varfëria mund të jetë forca shtytëse për migrimin në veri, në Tiranë është arsimi dhe dëshira për jetë të lirë nga miqësitë dhe korrupsioni që po i shtyn njerëzit të ikin. Rritja e kërkesave për azil nga të diplomuarit e vendosur për të vazhduar studimet jashtë shtetit është një shqetësim i veçantë për Gëdeshin, i cili i frikësohet një ikjeje të paparë truri.

“TË GJITHË DUAN TË IKIN”-  thotë Artan Jorgji, 47 vjeç, i cili flet tri gjuhë dhe ka tri diploma, por që aktualisht është me punë të përkohshme si kirurge.

  • Korrupsioni këtu është si kanceri. Për të zënë një punë në sektorin publik duhet të premtosh se do të sigurosh 1500 vota – dhe nuk po bëj shaka, ata kanë njerëz që i numërojnë”, thotë.

Nuk më kanë mbetur më miq në Tiranë, sepse të gjithë janë larguar. Në janar kam në plan të shkoj edhe unë në Amerikë”.

Në një komb dikur aq të izoluar sa Shqipëria, ardhja e demokracisë ka rezultuar në një përqafim në dukje të gjallë të kapitalizmit. Rrokaqiejt e mëdhenj prej çeliku e betoni ngrihen mbi sheshin Skënderbej në Tiranë; makina sportive e 4×4 ecin bulevardeve të zbukuruar me korsi biçikletash; janë hapur një numër i madh restorantesh dhe kafenesh që shërbejnë pije importi dhe verëra të shkëlqyera, ndërkohë që po zhvillohen plane për të ndërtuar një muze dhe teatër të fjalës së fundit.

  • Por rrethi virtuoz që shumëkush kishin pritur nga ardhja e demokracisë duket se i ka shpëtuar Shqipërisë. Rrokaqiejt dhe shenjat e tjera të kapitalizmit janë, thonë shumë, një simbol i pastrimit të parave të fitimeve të paligjshme të tregtisë së drogës. Në një lëvizje që ka shkaktuar zemërim në një kohë kur çmimet e pronave janë rritur me më shumë se një të tretën, qeveria ka sinjalizuar se mund të bëhet një amnisti për pronarët e pasurive të konsiderueshme bankare në këmbim të një takse 10% që do të paguhet vetëm njëherë.

Nëse bota ecën me sekonda, ne ecim me orë”, thotë Enkeleda Hakrama, studente e shkencave. “Nëse nuk do të kisha një djalë të vogël, me siguri që do të kisha ikur”.

  • Klajdis Rama, i regjistruar në degën e informatikës, ka të njëjtin mendim. “Unë jam 18 vjeç, por e di që që dua të jem në Angli ose në SHBA”, thotë. “Shqipëria nuk ka asnjë të ardhme. Nëse do të jetosh mirë e të paguhesh më shumë, nuk qëndro këtu”.

Ekspertët ia atribuojnë eksodin një periudhe tranzicioni ekonomik që ka zgjatur shumë – e përkeqësuar nga shpresa e parealizuar e hyrjes në BE, një lëvizje që do të kishte lehtësuar investimet e huaja. Dhe ata kanë frikë se nëse vazhdon, ekonomia tashmë ndër më të varfrat në Evropë vetëm sa do të përkeqësohet. “KA DISA KOHË QË BIZNESET ANKOHEN SE NUK GJEJNË PUNONJËS. TANI THONË SE NUK GJEJNË BLERËS”, thotë Ornela Liperi, kryeredaktore e Monitor, revistës kryesore ekonomike në vend, e cila e përshkruan industrinë e turizmit si të vetmen pikë të ndritshme.

Shqiptarët shohin rrokaqiejt dhe gjithë të tjerat, dhe kjo i zemëron sepse e dinë se asnjë prej tyre nuk do t’ua bëjë jetën më të mirë”./theguardian.com/

Author: jehona