Pedagogët do të vijojnë sot protestën e tyre me një bojkot të përgjithshëm të procesit mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend dhe me mbajtjen e një forumi përpara Universitetit Politeknik të Tiranë, ku do të mbledhin propozimet për një platformë të re universitare.
- Kësisoj, kërkesat ekonomike të pedagogëve avancojnë drejt motos që i kanë përcaktuar protestës së tyre “Arsimi i Lartë Publik, prioritet strategjik kombëtar”.
Bojkotin dhe forumin që do të mbahet sot e ka shpallur dje kryetari i Sindikatës, Aleksandër Kovaçi, në fjalën që mbajti përpara UT:
“Ndërkohë që lajmërojmë vijimin e bojkotimit të procesit mësimor derisa të marrin udhë, plotësimi i kërkesave të profesoratit, i kërkesave të peticionit të gushtit, forumet e organizuara kanë sjellë në dritë jo vetëm nevojën e realizimit të kërkesave të peticionit, që kanë qenë minimaliste, por edhe për një platformë të re universitare.
Në këtë këndvështrim, të mërkurën në orën 11 do të ketë një forum të gjerë me profesoratin, me pedagogë, me akademikë, me studiues, studentë, përfaqësues të Shoqërisë Civile që kanë dhënë kontribute për arsimin e lartë, aktivistë etj.
E mërkura do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për të përfshirë idetë e zgjeruara të të gjithë këtij grupi personash që kanë kontribute të çmuara në Arsimin e Lartë në tërësi dhe do të jepet në këtë forum një përmbledhje të ideve që do të përfshihen në platformë.
Ndërkohë do të ketë një bojkot të përgjithshëm të procesit mësimor, kurse takimi do të jetë në orën 11 me përfaqësuesit e të gjithë universiteteve të vendit me moton “Arsimi i Lartë Publik, prioritet strategjik kombëtar.”