Në trupat e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve po ndodh (ka ndodhur, më mirë të themi) diçka e shëmtuar, e cila ka ngjallur neveri tek opinioni publik. Vlerësimet e tyre sipas origjinës, ndarja në malokë dhe…. janë “vetëvrasja” më e madhe që këta filtrues të drejtësisë shqiptare po i bëjnë vetes në raport me publikun.
Para pak ditësh u zbulua se Genta Bungo, vetinguesja e KPA e quante “maloke” kryeprokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj në vlerësimin e saj. Përcaktim i turpshëm, që vërtet meriton jo vetëm lincim mediatik publik, por edhe masë disiplinore nga Komisioneri për Diskriminimin në vendin tonë.
Sot ka dalë në dritë një tjetër gafë skandaloze e tillë për një subjekt vlerësimi nga trupa e gjyqtarëve. “Hashtag.al” ka publikuar një dokument ku del në pah qartë paragjykimi krahinor i organeve të vettingut.
Me një racizëm të strukturuar në vlerësim, “viktima” e radhës e kësaj qasjeje ka qenë gjyqtari Bledar Abduallai. Në ankesën e tij për KPA, ai ka treguar se ndaj personit të lidhur me të (Zonjës Alma Osmanaj) është përdorur paragjykim krahinor: “U bë kjo tropojania e Viçidolit të ketë pasuri”.
Duket qartë se veriorët, sidomos ato nga Tropoja, janë në shënjestër të vetinguesve për origjinën. Mjafton të kujtojmë se një vështrim i tillë diskriminues u konstatua edhe për prokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj. Ndaj kësaj të fundit, Genta Bungo kishte përdorur shprehjen “një maloke më pak në drejtësi”./Shqiperia ime.com.al