Tungjatjeta Shqipëri! Nuk ikim. Këtu do të rrimë!

Tungjatjeta Shqipëri! Nuk ikim. Këtu do të rrimë!

Nga Arian Galdini

Janë disa kukuvajka të qaravitjes dhe qurravitjes publike të cilët pasi kanë marrë vendime personale, për të mirën dhe vetëm për të mirën personale, ia nisin e flasin dhe shkruajnë për sa keq është Shqipëria, e pse nuk bëhet Shqipëria.

Mirë që nuk e ndihmoni, por pse e vrisni Shqipërinë?

Mirë që doni tia hypni, por pse e gjunjëzoni Shqipërinë për ti kërcyer mbi shpinë?

Përse?

Jeni bërë si bukuria që vret.

Na trallisët fare.

Doni famë e pëlqime me shkrime depresive, rrëzuese, vrasëse.

Nuk po e lini këtë shoqëri të marë frymë.

Jeni si ato giendrat e qelbit, që plasni orë e pa orë nën veshje e forma të ndryshme.

Del njëri e na thotë se e paskan gënjyer prindërit.

Dhe hopa të gjithë e bëjnë virale, skërrmitjen e këtij “shkencëtarit” që pastaj na sqaron se e ka alegorike.

Jo or jo, nuk e ka alegorike.

Është fama e qylit që i shtin këta të bëjnë melodrama depresive të tilla.

Këtë punën e prindërve gënjeshtarë e kanë thënë e stërthënë “studentët komunistë” që protestuan pro lirisë seksuale e kundër prindërve të tyre në vitet ’60 – ’70, në Itali, Francë e SHBA.

Këtë historinë me prindër gënjeshtarë e ka pasur edhe si refrenin e tij edhe Jim Morrison, këngëtari legjendar i grupit The Doors.

Madje në fillimin e viteve ’90, edhe neve këtu në Shqipëri e kishim si moto këtë refrenin Morrisonian, për të hapur dyert e perceptimit sipas poezive të William Blake dhe Allen Ginsberg, etj.

Fama e qylit, është kultura e shkollave amerikane me djemtë dhe vajzat më popullorë.

Aty ka lindur si fenomen.

Ca çupëlina dhe djem sipërfaqësorë, bëheshin më popullorët e shkollës sepse visheshin, ecnin, hanin, grupoheshin dhe silleshin ndryshe.

Nuk bëhej fjalë për mendim.

Vetëm opinion dhe gjeste e veprime a dukje ndryshe.

Për tu bërë popullor mund edhe të bëje diçka që të tjerët nuk do guxonin, si psh ta rruash kokën në formë pjeshke…

Sipas studimeve, asnjëherë nxënësit dhe studentët më të mirë, nuk qëllonte që të ishin edhe më popullorët e shkollës.

Fama qyl shkonte tek çupëlina që rruante kokën apo djali që vishte rexhipeta.

Ja kështu ky brez sipërfaqësor pra beatnikët, zbuluan se këtë devijim mund edhe ta impononin si rregull të së tërës.

Prandaj u bënë “komunistë”, sepse kështu dukeshin si intelektualë të impenjuar dhe ia nisën të ankohen për rregjimin e prindërve që i paskërkëshin gënjyer.

Ne sot në Shqipëri e kemi pothuajse si rregullsi këtë “famën e qylit”.

Bëj një këngë tallava, nxirr cicat mbi pallto, shalëve vëru tyl të grisur e tundu sikur ke hypur në mushkën e fshatit dhe ja ku u bëre e famshme qyl.

Ose qaj për të premten e mallkuar kur të la ajo që ti e deshe por kurrë nuk të deshi, e ja ku u bëre këngëtar i madh.

Ose bëhu deputet, gjuaj me vezë ose bjeri bilbilave që të jep Kryetari, dhe padiskutim je “i madh”, “gjigand”, “nona”.

Por rruga më e shpejtë është melodrama depresive.

Bëj çdo ditë 10 statuse në facebook, ku bën garë me veten dhe dynjanë për të gjetur përshkrimin apo batutën më përqeshëse, përçmuese, tallëse, sharëse për shqiptarin dhe Shqipërinë, dha ja ku u bëre “ylli i rrjeteve sociale”.

Melodramat depresive, shpërndahen si me magji ngado, kudo e nga kushdo…

Aq shumë pëlqime e shpërndarje marin këto melodramat depresive shqiptar-përbuzëse apo Shqipëri-ankimtare saqë ti mbetesh pa frymë nga habia.

E të lind pyetja: po pse xhanëm kaq shumë uri e pathos për ta pëlqyer ligështinë dhe shëmtinë?

Pse kaq jaragavitje sociale për ta shpërndarë e pëlqyer melodramën depresive? Pse?

Çfarë është kjo pëlqyeshmëri e lartë, gati – gati si drogë masive, për melodramat depresive?

Del njëri e shkruan, Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë, e mer qindra pëlqime e po aq shpërndarje.

Del tjetri e shkruan një “alegori vjedhacake” me prindërit që e paskërkan gënjyer dhe rrjeti shpërthen.
E del një vajzë që thotë se është pedagoge në dikund e shkruan: Mirupafshim Shqipëri se unë po iki, e nuk ngelet përdorues facebooku që nuk e shpërndan dhe pëlqen, e media online që nuk e boton.

Po çfarë ka shkruar ky tipi që e kanë gënjyer prindërit apo kjo vajza që i thotë mirupafshim Shqipërisë, që nuk e kanë shkruar mijëra e mijëra të tjerë ndër vite?

Prej 108 vitesh ne e vuajmë këtë Sindromën e Intelektualit që e shan shqiptarin dhe Shqipërinë, e shkruan skica e libra pafund për vuajtjet e moskuptimet e mëdha që të shkakton shqiptari dhe Shqipëria.

Intelektualët më të famshëm që kemi, janë ata që kanë shkruar librat më depresivë për shqiptarin dhe Shqipërinë.

Idhulli i kohëve moderne është Faik Konica.

Na pëlqen Konica se na përshkruan neve shqiptarëve dhe Shqipërinë kaq depresivisht saqë ne gjejmë të gjithë veten aty.

Na pëlqen Noli kur shkruan për karakteristikat e shqiptarit sipas qyteteve e krahinave.

Na pëlqen Migjeni kur na thotë, oh si nuk kam një grusht të fortë, ti bie mu në zemër malit që s’bëzan…

E kështu nën Sindromën Koniciane të vetësharjes dhe nën Sindromën Migjeniane të ankimtarisë dhe qaravitjes, na linden çdo ditë heronj të famës së qylit, që na shpërthejnë gjendra dëshpërimi e na këndojnë melodrama depresive.

Kështu ne, nuk shohim dot dritë.

Na duket e vërtetë veç qaravitja e vetësharja.

E nuk shohim dot përtej.

Politikën e kemi si qaravitje e vetësharje.

Prandaj e kemi politikë batutash, se nuk mban dot mendim.

Shoqërinë Civile e kemi shoqëri civile qaravitjeje e ankimtarie, prandaj zëre se nuk e kemi.

Mediat i kemi kronikë e zezë, politikë dhe kronikë rozë.

Intelektualët lodhen së menduari e shijojnë famën qyl duke u hargalisur nëpër melodrama depresive sikurse e do shoqeria…

E kështu, të gjithë zhytemi në qorrsokak.

Ka ardhur koha të ngrihemi përtej Sindromës Koniciane dhe Sindromës Migjeniane.

Mjaft më me ankimtari, qaravitje e depresion.

Duhet të flasim pozitivisht për fuqinë që është brenda nesh.

Ne e kemi të gjithë fuqinë për të ndërtuar mirësi dhe ndryshim.

Duhet vetëm të flasim për veten tonë dhe sesi mund ti dalim për Zot vetes sonë, dinjitetit tonë dhe vendit tonë.

Të ushqejmë pozitivitetin dhe vetëdijësimin për fuqinë brenda nesh.

Nëse atë “shkencëtarin” e kanë gënjyer prindërit, le ta ndihmojmë të rigjejë vetveten.

Mos ta marim depresionin e tij si gjendjen tonë.

Nëse këtë vajzën pedagoge dikund e ka lodhur dhe zhgënjyer Shqipëria, le ti themi ta shijojë dikundin e së mirës personale, por pa e vrarë Shqipërinë me “bukurinë e fjalëve të saj depresive”.

Gjendrat e depresionit duhen luftuar, jo shumuar.

Kush shpërndan e pëlqen melodramat depresive bën pothuajse akt vetëvrasës social.

Ndaj ta ushtrojmë të drejtën për të menduar, para se të hidhemi në gropën e emocioneve dhe opinioneve depresive.

Shqipëria bëhet.

Ne që e duam Shqipërinë, do ta durojmë atë.

Por duhet sakrificë, shumë sakrificë.

Do ta bëjmë të plotë dhe përtej sakrificën tonë, që ta bëjmë Shqipërinë.

Arian Galdini

Author: admin