Në datën 24 dhe 25, pritet një “zbarkim” tifozësh nga të gjitha anët me fluturime por edhe në drejtime të tjera, nga deti, me makina etj. Të gjithë njerëzit që do të zbresin në Rinas, do të bien në kontakt me brandimin e qytetit dhe pikave kryesore në kontakt me eventin. Në sheshin “Skënderbej” do të ketë një pjesë shumë të rëndësishme që i dedikohet zbavitjeve, lojëra për fëmijë, lojëra për të rritur, do të jetë trofeu i këtij kompeticioni në shesh, që do të ekspozohet në datat 24 dhe 25 Maj.
Stadiumi
Stadiumi do t’i dorëzohet UEFA-s 10 ditë përpara dhe ka qenë objekt modifikimesh gjatë gjithë kësaj kohe për t’iu përshtatur këtij aktiviteti. Ky është një rast unik, që duhet shfrytëzuar në mënyrë maksimale sepse është e vështirë të mendohet një numër i lartë tifozësh që vijnë në Tiranë. Nga ana futbollistike, ky nuk është një aktivitet i vogël dhe mendoj se duhet të jemi të kënaqur, sepse edhe në politikat e UEFA-s, aktivitete të këtyre përmasave, UEFA i zhvendos në etapa dhe nuk i aprovon për vite me radhë në të njëjtin vend. Me të kaluar këtë provë, ne do të propozojmë kandidaturën tonë për aktivitete të tjera.