Thesari me vlerë 1 trilion dollarë i Afganistanit, të cilin e kërkon e gjithë bota

Rënia e shpejtë e Afganistanit në duart e Talebanëve, dy dekada pasi Shtetet e Bashkuara pushtuan vendin, i hapi rrugë një krize politike dhe humanitare. Por disa ekspertë të sigurisë kanë ngritur edhe pyetjen: Çfarë do të ndodhë me pasurinë e madhe dhe të pashfrytëzuar minerare?

Papilomat shkaktohen nga parazitët! Shpëto prej tyre për 3 ditë!
DETOXIC
Afganistani është një prej vendeve më të varfër në botë. Por në vitin 2010, zyrtarët dhe gjeologët e ushtrisë amerikane zbuluan se vendi, i cili ndodhet mes Azisë Qendrore dhe Jugore, kishte depozita me minerale, me vlerë rreth 1 trilion dollarë, që mund të transformonin në mënyrë drastike ekonominë e tij.

Depozita të mëdha me minerale, si hekur, bakër dhe ar, janë të shpërndara në të gjithë vendin. Gjithashtu ka edhe minerale të rralla tokësore, si edhe depozita më e madhe në botë e pashfrytëzuar me litium, një përbërës i rrallë, por thelbësor, që përdoret në bateritë e rikarikueshme dhe teknologji të tjera, jetike për luftën kundër krizës klimatike.

“Afganistani është pa diskutim një prej rajoneve më të pasur me metale të çmuara, por edhe metale që nevojiten për ekonominë e re të shekullit XXI”, thotë Rod Schoonover, ekspert shkencor dhe sigurie, themelues i “Ecological Futures Group”.

Problemet me sigurinë në vend, mungesa e infrastrukturës dhe thatësira, e ka penguar deri tani nxjerrjen e pjesës më të madhe të mineraleve të vlefshme në të kaluarën. Kjo situatë ka pak gjasa të ndryshojë nën kontrollin e Talebanëve. Megjithatë, shtete si Kina, Pakistani dhe India mund të përpiqen të përfshihen në këtë lojë, duke shfrytëzuar kaosin e krijuar. “Gjithçka është një pikëpyetje e madhe”, tha Schoonover.

Potencial i jashtëzakonshëm
Edhe para se presidenti Joe Biden të shpallte se trupat amerikanë do të tërhiqeshin nga Afganistani, duke i hapur rrugën rikthimit të Talebanëve, e ardhmja ekonomike e vendit dukej e zymtë. Sipas vlerësimeve të bëra deri në vitin 2020 nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit, 90% e afganëve jetojnë nën nivelin e varfërisë të përcaktuar nga qeveria, që është 2 dollarë në ditë. Në profilizimin më të fundit të bërë nga Banka Botërore, thuhet se ekonomia e Afganistanit “karakterizohet nga brishtësia dhe varësia prej ndihmave”.

“Zhvillimi i sektorit privat dhe diversifikimi është i kushtëzuar nga pasiguria, situata politike e paqëndrueshme, institucionet e dobëta, infrastruktura e papërshtatshme, korrupsioni i përhapur gjerësisht, dhe ambienti i vështirë për të bërë biznes”, thuhet në raportin e muajit mars të Bankës Botërore.

Shumë shtete me qeveri të dobëta vuajnë nga ajo që quhet “mallkimi i burimeve”, ku përpjekjet për të shfrytëzuar resurset natyrore të vendit nuk arrijnë të sigurojnë përfitime për vendasit dhe ekonominë e brendshme. Megjithatë, studimet e kryera në Afganistan edhe nga sovjetikët premtonin për përfitime të mëdha.

Kërkesa për metale si litiumi dhe kobalti, si edhe elementët e rrallë tokësorë si neodimiumi, ka pësuar një rritje marramendëse, pasi këto janë të rëndësishëm në kalimin nga makinat me karburant, tek ato elektrike, por edhe industri të tjera që kërkojnë të përdorin energji më të pastra.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha në maj se bota duhet të shtonte në mënyrë drastike sasinë e litiumit, bakrit, nikelit dhe kobaltit ose do të dështonte në luftën e saj kundër ndryshimeve klimatike. Tre shtete – Kina, Republika Demokratike e Kongos dhe Australia – zotërojnë sot 75% të sasisë globale të prodhuar të litiumit, kobaltit dhe mineraleve të tjera tokësore të rralla.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një makinë elektrike normale kërkon 6 herë më shumë minerale se një makinë me karburant. Litiumi, nikeli dhe kobalti janë thelbësor për ndërtimin dhe funksionimin e baterive. Edhe rrjetet e energjisë elektrike kanë nevojë për sasi të mëdha bakri dhe alumini, ndërsa elementët e rrallë tokësorë përdoren për magnetet që vënë në punë turbinat e erës.

Qeveria amerikane vlerëson se depozitat e Afganistanit me litium mund të rivalizojnë ato të Bolivisë, vendi që deri më sot njihet se ka rezervat më të mëdha të këtij elementi. “Nëse Afganistani do të gjejë qetësi për pak vite, dhe do të lejojë zhvillimin e burimeve minerare, mund të bëhet një prej vendeve më të pasura të rajonit brenda një dekade”, pati deklaruar për revistën “Sience” në vitin 2010 Said Mirzad, nga Inspektorati Gjeologjik Amerikan. Por vitet e qeta nuk erdhën kurrë dhe shumica e pasurisë minerare të Afganistanit mbeti nën tokë, tha Mosin Khan, ish-drejtor për Azinë dhe Lindjen e Mesme në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Edhe pse deri tani është arritur të nxirret ar, bakër dhe hekur, shfrytëzimi i litiumit dhe mineraleve të rrallë kërkon investime dhe aftësi teknike shumë më të mëdha, përveç se edhe kohë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se duhen mesatarisht 16 vite nga zbulimi i një depozite që miniera të nisë punën.

Në këto momente, mineralet i sjellin Afganistanit të ardhura prej 1 miliardë dollarësh në vit, sipas Khan. Por ai vlerëson se deri në 40% e kësaj shume zhduket në kanalet e korrupsionit si dhe përfundon në duart e udhëheqësve ushtarakë apo Talebanëve, të cilët kanë pasur në kontroll disa miniera të vogla.

Megjithatë, Schoonover beson se Talebanët kanë një mundësi të mirë që të përdorin fuqinë e rimarrë për të zhvilluar sektorin minerar. “Mund të imagjinosh një periudhë konsolidimi dhe ndoshta disa nga këto aktivitete minerare do të futen brenda kuadrit ligjor”, tha ai. Por pengesë mund të bëhet nevoja për t’u marrë fillimisht me çështjet e sigurisë dhe krizën humanitare që po përshkallëzohet në Afganistan. Gjithashtu sanksionet që mund të vendosin amerikanët mund të përbëjnë një sfidë më vete.

Një mundësi e shkëlqyer për Kinën?

Ndërsa investitorëve privatë mund t’u duket e paimagjinueshme të vënë në punë paratë e tyre në një shtet në gjendjen e Afganistanit, projektet shtetërore që kanë edhe synime gjeopolitike mund ta kenë më të lehtë të vihen në zbatim. Kina, lider botëror në industrinë minerare dhe elementet e rrallë tokësorë, deklaroi që të hënën e kaluar se “kishte mbajtur kontakte me Talebanët e Afganistanit”.

“Kina, fqinji i Afganistanit, ka ndërmarrë një program të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë së gjelbër”, tha Schoonover said. “Litiumi dhe elementët e tjerë të rrallë deri tani janë të pazëvendësueshëm për shkak të karakteristikave të tyre. Këto minerale janë në planet afat-gjata”. Sidoqoftë, Schoonover beson se edhe Kina do të mendohet dy herë para se të nisë të bëjë biznes me Talebanët, të cilët janë ende parter jo shumë i besueshëm.

Author: admin