Moderatorja Rudina Magjistari ka sqaruar sot shprehjen e famshme që u bë virale: ‘Të frenosh pa shtypur frenat’!
Në emisionin “Rudina” në Tv Klan të javës së kaluar, ditën e martë, 22 Mars, një fragment nga biseda me të ftuarin Tonin Gjinaj ku moderatorja ndau disa këshilla për kursimin e karburantit të makinës, u bë virale. Rrjetet sociale u ndalën në shprehjen “mos frenoni duke shtypur frenat” për të krijuar materiale gazmore me frazën e moderatores. Rudina Magjistari riktheu në emisionin e ditës së sotme, 29 Mars këtë pjesëz për të sqaruar kontekstin e saj përtej shakasë. (Shiko këtu)
Rudina Magjistari:
U bë viral në rrjet vetëm një fragment i asaj bisede që sigurisht është shumë në rregull, për të qeshur, le të qeshim, kemi nevojë edhe për të qeshur në situata stresi edhe të vështira, por mirë është që fjalitë ose fjalët të mos shkëputen nga konteksti. Unë dua edhe njëherë ta jap pikërisht atë fragment për të kuptuar se ç’do të thotë të frenosh pa shtypur frenat, të ulësh shpejtësinë pa shtypur frenat. Do të thotë të mos i japësh gaz makinës dhe automatikisht forca e fërkimit bën që dalëngadalë makina të ulë shpejtësinë e vet dhe të frenojë nëse ju e llogarisni që më herët mbërritjen në semafor apo në një destinacion ku ju doni të ndaloni. Le ta kujtojmë pak këtë moment për të kujtuar edhe njëherë se ka shumë mënyra për të kursyer secili brenda mundësisë së vet. Nëse do t’i riktheheni atij programi, ka edhe shumë këshilla të tjera, por unë dua të rikujtoj vetëm këtë moment për ta parë në kontekstin e saj të plotë se çfarë ka ndodhur dhe cila është këshilla edhe për ju të rinjtë zakonisht të cilët ndoshta edhe s’e keni shumë masën e kursimit dhe vetëm bëni shaka me pjesëza të shkëputura nga konteksti.
Fragmenti i emisionit të datës 22 Mars:
Rudina Magjistari:
“Ngadalësoni shpejtësinë pa përdorur frenat”.
Tonin Gjinaj: Ndjekim trajektoren e rrugës, kjo bëhet kryesisht në disheza, ne duhet të ulim marshin dhe të ecim me marshin e duhur që mjeti të lëvizë sa më lirshëm duke evituar frenimin. E para, duhet bërë kjo kur je në një dishezë shumë të fortë, duhet të ndërrosh marshin para se të futesh në dishezë. Nëse futesh në të dhe përdor shpesh frenat, ti rrezikon të aksidentohesh, por edhe konsumimi i karburantit, të frenosh, t’i japësh gaz me kolpo, atëherë kjo bën të konsumosh më shumë karburant.
Rudina Magjistari:
Nëse s’jemi me marshe, jemi me marshe automatike, thjesht hiq këmbën nga gazi.
Tonin Gjinaj: Ta shpjegojmë edhe këtë, makina e zbret vetë marshin. Bie shpejtësia dhe e zbret vetë marshin, merr të duhurin.
Rudina Magjistari:
Pra edhe njëherë, mund të përgjysmoni konsumimin e karburantit nëse ndiqni këto rregulla. Mos frenoni duke shtypur frenat. Shiheni semaforin që po ndizet i kuq që më herët dhe filloni gradualisht hiqeni këmbët nga gazi, pra mos prisni të frenoni pincë, sapo mbërrini në semafor.
Marrë nga tvklan.al./Shqiperia ime.com.al