Shkojmë në Lushnje për të takuar në këtë shtëpi të rrënuar tre fëmijë dhe nënën e tyre.
Këtu ka fare pak, në mos asgjë. Jetojnë mes mjerimit. Shtëpiza mezi mbahet në këmbë, tavani ka rënë thuajse, ndërsa muret janë hapur. Sesi e kanë përballur dimrin, një Zot e di… këtu nuk ka as drita e as ujë.
Edhe ajri mban pezull dhimbjet sepse në këtë ngrehinë vuajtjet janë katërfish. Të nënës, Zares, të fëmijëve, Esmeraldës 15 vjeçe, Marias 13 dhe Reshatit, veçse 8 vjeç. Reshati është ende i vogël, por Esmeralda e Maria e kuptojnë më së miri barrën e të qenit të harruara, në varfëri.
“Jam në klasë të tetë. Jetoj në këtë shtëpi, që është me lagështirë… jetoj me mamin, motrën e vëllain. Këtu nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka… detyrat i bëj ditën, sepse natën nuk shikon gjë këtu, se është errësirë. Edhe librat i marr të përdorura, se mami nuk ka mundësi. Ndihem shumë keq.”-tregon Maria.
Thuajse tre vite më parë, babai i këtyre vogëlushëve i braktisi. I harroi. I la pas krahëve. Esmeralda e mban kokën ulur. Fytyrën e struk mes lotëve, kur kujton telefonatën e fundit me të atin.
Esmeralda: Nuk kemi shumë mundësi të vishemi siç vishen të tjerët. Nuk kemi një banesë të rregullt siç kanë të tjerët. Babi na ka braktisur, po bën tre vjet. Biseda e fundit ka qenë kur e kam marrë njëherë në telefon. I thashë kur do të vish, më tha ‘nuk vij’ dhe kaq… më mbylli telefonin dhe nuk na ka marrë më. Shumë e lënduar jam, se prisja ta bënte këtë.
Sikur të mos mjaftonte varfëria dhe braktisja, Esmeralda tregon se shpesh herë në shkollë është tallur nga bashkëmoshatarët. Ndonjëherë ka qenë mënyra sesi është veshur e herë tjera më keq.
“Në shkollë na tallin neve, kur na shohin kështu të veshur. Jo s’ke mamin e babin, je jetime… unë kështu jam, por nuk më pranojnë kështu siç jam.”-tregon 15 vjeçarja.
Por edhe më prekëse është të dëgjosh Marian. Kur 13 vjeçarja tregon për veten dhe gjendjen e mjerueshme ku jeton, shpesh herë mendja ia ‘vjedh’ fjalët nga goja. I drejton tek një dëshirë që ka gjetur vend në zemër. Një shpresë se mbase një ditë dëshira për një familje do të realizohet. Por sërish janë fjalët e Marias, që dhimbshëm, e thyejnë këtë fantazi të 13 vjeçares.
Maria: Dëshira ime është të kem një shtëpi. Desha të ishte dhe babi, po ja që nuk është. Kam dashur gjithmonë të ishim një familje, por… (qan) E kam kërkuar, por nuk e hap telefonin. Gjithmonë kam dëshiruar të jem një familje me kushte normale, por kurrë nuk kemi patur mundësi. Mendoja jithmonë për një familje të lumtur, mami e bani dhe ne të tre… por asnjëherë nuk do të bëhet e vërtetë kjo.