Kur ishte 17-vjeç dhe luante dhe shënonte me PSV, Mohammad Ihittaren cilësohej si një nga të rinjtë më premtues të botës së futbollit. Mesfushori holandez me teknikë dhe shpejtësi mbresëlënëse u ble nga Juventusi, dhe e ardhmja e tij dukej e siguruar.
- Por nga ai moment për djaloshin sot 20-vjeçar erdhën vetëm dështime. Kalimi në huazim te Sampdoria shkoi si mos më keq, me vetëm një prani në stol gjatë gjithë sezonit 2021-2022, me drejtuesit e ekipit të Serie A të dëshpëruar për mungesën e profesionalizmit të lojtarit.
Lojtari i lindur në Utreht u kthye sërish në huazim ne vendlindje, te gjigantët e futbollit holandez, Ajax. Por forma fizike e tij dhe veçanërisht jeta jashtë fushës së blertë u bënë shpejt problem edhe aty, dhe mesfushori ka luajtur vetëm pak minuta.
Por tani, për Ihittaren del edhe një tjetër problem. Sipas gazetës De Telegraaf, arsyeja kryesore e performancës së dobët të tij, është lidhja e tij me botën e krimit, dhe presioni psikologjik që ajo botë po ushtron te lojtari i ri.
- I lindur në një lagje problematike, sipas gazetës lojtari shoqërohet me personazhe të dyshimta, me një të kaluar por edhe një të tashme kriminale, aq sa nuk mungojnë vizitat e Ihittaren në burg. Lidhje aq të ngushta, sa që lojtari në fazën përgatitore të ekipit në Austri u kërcënua nga një bandë, e cila e detyroi ekipin të mbronte futbollistin dhe të kufizonte daljet e tij publike.
Sipas gazetës holandeze, drejtuesit e Ajax kanë humbur durimin me lojtarin që u thirr edhe me kombëtaren në Nations League, dhe dëshiron të ndërpresë marrëdhënien. Një gjest që ndoshta do të mund të ndihmojë lojtarin e ri për t’i thirrur mendjes, sa është ende në kohë.