SHQIPTARI I PARË QË SHKELI NË AMERIKË ËSHTË NJË QYTETAR NGA KORÇA/VALA E PARË E EMIGRIMIT TË SHQIPTARËVE NË SHBA NË FILLIM VITET 1900

Shqiptarët ishin populli evropian që iu drejtuan të fundit Amerikës, për shkak të traditës së vjetër për të emigruar në vendet evropiane.

Shqiptari i parë që shkeli në Amerikë është një qytetar i paidentifikuar nga qyteti i Korçës i cili arriti në SHBA në vitin 1876. Pas tij në nëntor të vitit 1877 shkoi në Amerikë prifti shqiptar Prend Doçi.

Shtetasi i parë shqiptar që u vendos në Amerikë shërbeu si bërthamë magnetike për emigrantët e tjerë shqiptarë. Ishte Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës që arriti në Amerikë më 1884-ën. Pas gjashtë vitesh Kolë Kristofori u kthye ne fshatin e lindjes. Por më 1892, ai u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarë të tij, të cilët formuan bërthamën e Diasporës shqiptare në SHBA. Më 1900 shumë shqiptarë të tjerë iu drejtuan Amerikës.

Numri i shqiptarëve të regjistruar si të tillë figuron të jetë 4105 për periudhën 1900-1932. Shifrat reale janë edhe më të larta, por për shkak të regjistrimit si shtetas të perandorisë osmane ose grekë është vështirë të bëhet një numërim i saktë i shqiptarëve të emigruar në ato vite në SHBA. Ndër këta shqiptarë përmendim mbiemra si: Mortati, Braçe, Luarasi, Peci, Konica, Noli, Millone, Flloqi, Kirkoa, Cikozi, Dishnica, Idrizi, Ymeri, Kamburi, Pandele etj..

Kategoritë e emigrantëve

Emigrantët e parë shqiptarë në SHBA mund të ndahen në dy kategori: në emigrantë ekonomikë, të cilët largoheshin nga atdheu për të fituar para dhe në emigrantë politikë, të cilët detyroheshin të largoheshin për arsye politike. Lidhur me çështjen se cila kategori e emigrantëve ishte mbizotëruese, ka patur mendime të ndryshme. Disa autorë janë të mendimit se emigrantët ekonomik formonin masën kryesore të emigracionit shqiptar në SHBA. Autorë të tjerë mendojnë të kundërtën.

Vitet 1904-1905

Valët më të fuqishme të emigracionit u përkasin viteve 1904-1905 dhe 1909-1912, vite këto të karakterizuara nga tensione të forta politike të krijuara nga ngjarje që sollën shpalljen e pavarësisë, si dhe vitet 1913-1914, veçanërisht vera e vitit 1914 kur Shqipëria e jugut u pushtua prej ushtrisë greke. Në këtë periudhë shqiptarët vijonin të ishin shtetas të Perandorisë Osmane dhe shkonin në Amerikë me pasaporta osmane, prandaj edhe në listat e emigracionit të zyrave amerikane ata figuronin si shtetas osmanë. Një pjesë tjetër regjistroheshin si grekë për shkak të lidhjeve fetare me Patriarkanën e Stambollit dhe prej koncepteve zyrtare të shtetit osman, i cili shqiptarët e besimit ortodoks i konsideronte grekë për nga kombësia. Madje, shumë emigrantë erdhën edhe nga vendet ballkanike, Bullgaria, Rumania, etj, ku kishin emigruar prej kohësh. Si të tillë ata erdhën në Amerikë me dokumente identifikimi jo shqiptare.

Numri i saktë

Si rrjedhojë e të gjithëve këtyre faktorëve, është e vështirë të gjesh numrin e saktë të emigranteve shqiptarë që u vendosën në Amerike në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Sipas dokumentacionit zyrtar federal të vitit 1910, në SHBA ndodheshin 625 shqiptare. Gjatë viteve 1911-1914 në ShBA mbërritën 1528 shqiptarë, ndërsa në vitet 1915 deri 1919 numri i tyre bie ndjeshëm në 694 vetë. Në strukturën demografike të Diasporës shqiptare të Amerikës, mbizotëronin burrat, sepse ata, duke dashur të riktheheshin përsëri në atdhe, nuk i merrnin gratë dhe pjesën tjetër të familjes së tyre. Numri i grave shqiptare në SHBA erdhi duke u rritur pas vitit 1920, kur shumë shqiptarë vendosën të qëndrojnë atje si banorë të përhershëm.

Gazeta “Kombi”

Sipas gazetës ‘Kombi’ i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të 1908-ës në familjen e Kristo Koçit nga Korça. Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e jugut. Fuqizimi nga ana ekonomike i këtyre emigrantëve nxiti edhe mjaft shqiptarë të tjerë t’i drejtoheshin Amerikës. Pas vitit 1905, interesat tregtare bënë që të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni të organizuar të shqiptarëve në SHBA.

Ku u vendosën emigrantët?

Megjithëse ligji amerikan i emigracionit në vitin 1907 ndalonte ardhjen e emigrantëve në SHBA me para të marra borxh, shqiptarët të cilët në të shumtën e rasteve udhëtonin me para të siguruara në këtë mënyrë, mund t’i bënin ballë atij në pjesën më të madhe, duke deklaruar para doganës amerikane se paratë e udhëtimit i kishin siguruar prej prindërve ose të afërmve të tyre që ndodheshin në SHBA. Shqiptarët e parë që erdhën si emigrantë në Amerikë, u vendosën në pjesën më të madhe të tyre në qytetin e madh të Bostonit dhe pikërisht në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Pas Bostonit ata u vendosën në qytete apo qyteza të tjera të shtetit Masaçustes. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë Anglia e re (New England).

Jetesa

Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregti. Sipas gazetës ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë. / Diaspora Shqiptare /

Author: admin