Shqipëria po qan teksa bijtë e saj po i ikin

Nga Ndriçim Kulla

Sipas statistikave, rreth 620 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria për shkaqe social-politike gjatë këtyre 9 viteve, ku shumica e tyre janë opozitarë.

“Shqipëria po qan”, këndonte atëherë Gjebrea, “ajo e di si duron, po i shkundeshin filizat”. Po tani vallë ç’mund të themi, të ulërasim, të bërtasim nga trishtimi, kur shohim se Shqipërisë po i largohen më të mirët, më të shkolluarit, më punëtorët, shtylla e asaj administrate, e atij shteti që shtyn përpara çdo komb, më kreativët dhe më profesionistët, forca lëvizëse e biznesit dhe ekonomisë që klasa e mesme i siguron çdo vendi që synon të ketë të ardhme.

Mos vallë, pikërisht tani Shqipërisë nuk po i shkunden filizat, por po i shkulen rrënjët, po i priten krahët, po i shkulet shpirti?

  • I kam shqyrtuar statistikat e atyre që po ikin tani , shumica kanë qenë gjithë kohën të punësuar, të zotë, të aftë, edhe pse të heshtur, të duruar, se aq mirë e njohin, por dhe aq shumë e dashurojnë Shqipërinë.

Janë po ai brez ose pinjoll i atij brezi “Shqipërie që mbeti” në fillim të viteve ’90 …! Ata po ikin, por qenë dhe janë më të mirët e këtij vendi, të aftë, të ditur, të kultivuar, që e nxjerrin bukën dhe nga dheu, përderisa gjejnë punë të mirë-paguara kudo ku shkojnë. Mirëpo, njeriu që të zhvillohet për shtetin dhe vendin e vet, ka nevojë për barazi e meritokraci, këto janë flatrat e tij shpirtërore, që ky brez nuk i pati kurrë, kjo është më e pakta bukë që Shqipëria, edhe ashtu e varfër siç është, mund t’ua jepte e nuk ua dha.

 

Ndaj, është shumë më tragjik e vdekjeprurës për të ardhmen e saj, kjo ikje e heshtur, e përditshme, e njerëzve më profesionistë të këtij vendi, jo si emigrant të thjeshtë, por me avionë, me kontrata e viza pune. Ja, pse Shqipëria që mbeti dikur në vitet ‘90, tani po ikën, bashkë me pinjollët e vet, në atë ikje që mund të quhet mërgimi më i madh i trurit e mendjes që ky vend ka provuar ndonjëherë.

 Ndaj vetëm hesht, hesht e iki me mendje si ata që largohen . Është pikërisht kjo heshtje, kjo heshtje gjëmim-madhe ajo që duhet të na shpjegojë politika e gjithë këtyre viteve e majtë dhe e djathtë, ajo prej së cilës ajo duhet të nxjerrë mësime e t’i bëhet busull për çdo program e lëvizje politike, të sotme e të ardhme. Është thelbi dhe arsyeja e kësaj ikje, ajo që duke e kuptuar sa më mirë e sa më thellë, mund ta ndriçojë që të mos përsërisë gabimet e së përditshmes në mos ngjalljen e shpresës dhe në krah-këputjen e besimit.

  • Po ikin ata që kur qeveria socialiste e asaj kohe ishte e zhytur në krim e korrupsion, besuan në kartën e moralit dhe i dhanë Berishës atë që edhe mund të mos imagjinohej disa vjet më parë, të drejtën për t’u rikthyer edhe njëherë në pushtet. Ishte po ky zë, që foli politikisht, duke i dhënë mandatin e bashkësisë së Tiranës për tre herë resht Edi Ramës, e pastaj kërkoi të provojë një figurë të re politike, asokohe shpresëngjallëse.

E së fundi, foli në zërin e 1 milion votave që rrëzuan Berishën dhe i hapën rrugë një fryme të re asokohe, atë të Rilindjes. Po sot, çfarë ka mbetur nga gjithë ajo masakër e iluzioneve të tyre?

Zhgënjim dhe ikje.

 

Author: jehona