Nga: Sindi Sahiti
Në çfarë bote jetojmë?
Jetojmë në këtë realitet që kërkohet femra të jetë e virgjër dhe mashkulli të jetë i fortë. Mos vish një fustan të shkurtër, e ke shumë të gjatë fustanin. Pse i pret flokët , i ke flokët shumë të gjatë.
Mendohu një herë fillo trego pak pjesë të trupit tënd të bukur , po pse tregon kaq shumë pjesë, do të dukesh?! Ky fustan është i shkurtër , ky është shumë i gjatë.
Prindër të cilët preferojnë më shumë një vajzë të përdalë sesa një djalë homoseksual. Ku të qënurit lesbike është “seksi” dhe të qënurit homoseksual është çnderim i shoqërisë. Realitet që po të jesh e zhvilluar fizikisht të shikon syri dhe po të mësosh shumë je e prapambetur.
Realitet i cili shpesh herë viktima 14-vjeçare provokoi përdhunuesin 50-vjeçar dhe ky i fundit ra viktimë provokimi.
Ku rrjetet sociale janë jeta jonë reale dhe jeta jonë reale nuk është më realitet. Ku fëmijët edukohen si të bëjnë make up dhe te duken bukur.
- Një realitet ku çdo mendim i gabuar apo i saktë jepet pa pikë problemi pa marrë parasysh se sa dëmtohen të tjerët. Ku bullizuesi është personi i “famshëm” i shkollës dhe i bullizuari është dështimi i adoleshencës. Ku 16 vjeçarët shkojnë jashtë shtetit me të dashurin milioner dhe 20 vjeçarët akoma nuk kanë një punë për të mbijetuar si konviktorë.
Jetojmë në një realitet ku mashkulli i bie gjoksit sepse talli vajzën e dikujt tjetër dhe femra krenohet se si u tall me djalin pa para. Ky realitet? Ky realitet ku femrat kërkojnë barazi gjinore dhe nuk marrin mundimin të punojnë por të përfitojnë dhe meshkujt nuk pranojnë barazi sepse femrat janë të paafta.
- Në një realitet ku femra deputete arriti aty si “lavire” dhe deputetët meshkuj janë të ndershëm! Çfarë bote është kjo?! Botë e cila dënon viktimën, paragjykon zgjedhjet?
Botë e cila flet për moralin i pamoralshmi. Ndëshkon mëkatin vetë mëkatari. Çfarë bote është kjo?!
- Botë ku fëmijët jetojnë vitualisht. Ku molla reklamohet e bukur në foto por mbrapa saj është e kalbur!
- Botë ku shikon fytyra të qeshura në çdo postim dhe nëse ti provon të qash e bën për “vëmendje”. Botë ku pornografia është “cool” dhe informacioni akoma nuk di të shpërndahet. Kohë ku talenti ka nevojë për aparencë dhe aparenca ka nevojë për t’u shfrytëzuar.
Çfarë bote është kjo vallë?!
- E kur behët fjalë për mediatizimin aty rrotullohet informacioni i shoqërisë në vendin tonë. Kafenetë janë plotë me njerëz, të zbukuruar në detaje. Ndërkohë ankohen që nuk ka punë dhe nuk ka rrogë. Në televizione shikon programacione të ndryshme argëtuese, nuk flas për politikë apo ekonomi po flas për programe me shikueshmërinë më të lartë dhe e vetmja gjë që promovojnë është dhuna, bullizmi, injoranca në shoqërinë shqiptare.
Ku jetojmë?
- Në një vend ku buka varion në 100 lekë – 120 lekë, paga mujore është 28000 lekë dhe një femër “influencuese” harxhon 2 mijë – 5 mijë euro në muaj. Ku ka kaq shumë lekë këtu?
Ku i gjejnë studentët këto para?
E ajo çfarë po na shkatërron më shumë është “paragjykimi” dhe depresioni. E përshkruajmë vendin si vlerë e madhe dhe që ka gjithçka, propagandë e qeverisjes dhe politikës në vendin tonë, ku asnjëherë nuk punohet për popullin por vetëm për marketingun që i serviret popullit dhe audiencave.
- Nuk kam parë një grua ose një burrë, të dalë e të thotë,”unë nuk ja dola vetë” më mbështeti familja, shefja/shefi apo qoftë edhe një koleg! Këtu gjërat i bën secili vetë dhe asgjë nuk po bëhet. Për mua fillon nga ligji ama vetëm ligj nuk shikoj të zbatohet.
Sa e vështirë është të jetosh në këtë botë, të duhet të punosh më shumë se 12 orë në ditë për të mbijetuar, jo për të fituar. Nuk të del një vit në punë për të shkuar një javë me pushime. Të duhet një muaj punë për të ngelur borxh në fund të muajit. E çdo gjë trajtohet si punë morali.
- Është e turpshme të shikosh televizione që promovojnë vetëm vajza të bukura që japin mendimin e tyre qoftë mbi politikën, ekonominë dhe jetën sociale. “Shqiptarët janë racist dhe paragjykues”. Ndoshta po të ishim të gjithë më punëtor, më pak të shtypur dhe më të rregullt do na jepej një tjetër emërtim.
Është e turpshme të shikosh postime në rrjete sociale, femra të zhveshura, meshkuj me pistoleta dhe pije të shtrenjta!
Ky nuk është zhvillim!
Feminizmi nuk ka protestuar që femrat të mos punojnë, të jenë kukulla shoqëruese dhe të fitojnë para në këtë mënyrë. Të drejtat e njeriut nuk janë krijuar me idenë se po të kesh më shumë para, ti do mund të fitosh kundër ligjit.
- Sa e çudi të jetosh në vendin tonë, të mos kesh kohë për t’u marrë me punët e tua, por të merresh me punët e të tjerëve! Të mbarosh shkollën për t’u bërë kamarier i njerëzve të pasur, “inshallah më japin 50 lekë bakshish”. Sa ndryshe të kesh të bësh me dashurinë dhe jo me interesin, me shoqërinë jo në garë, me profesionist jo me mediokër.
Sa çudi të ndihesh i huaj në vendin tënd…!