Shqipëria, me shpenzime rekord për ndërtimin në Europë në 2023. Lë pas Gjermaninë, Italinë dhe Francën

MONITOR

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat.

  • Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

  • Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, i ndjekur nga Suedia, me 15.7%.

Në rajon, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%.

  • E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se si aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe të ndërtimit, që vitet e fundit ka hyrë në një cikël të ri rritjeje, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të 2023.

INSTAT bëri të ditur se ekonomia u rrit me 3.44% në 2023.

Të dhënat tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati 50% të kësaj rritjeje, ku efekti më i fortë ishte në tremujorin e parë dhe të fundit.

Po sipas INSTAT, aktiviteti i ndërtimit arriti në 235 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë euro, me një rritje preale prej 9.7%. Ashtu si pasuritë e paluajtshme, edhe ndërtimi rinisi ciklin pas vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.

Author: jehona