Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka njoftuar sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, që do të jenë në fuqi për sa kohë që Rusia vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.
Në një komunikim për shtyp, ministrja Xhacka ka dënuar agresionin rus ndaj një populli të pafajshëm, teksa listoi sanksionet e marra, ndër të cilat edhe mbyllja e hapësirës ajrore të Shqiperisë prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi.
Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit.
Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.
Në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksporti në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.
Në Sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse.
Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të përfshijë produkte të tilla si gjysmëpërçuesit ose teknologjitë më të fundit.
Hapësira ajrore e Republikës së Shqiperisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore.
Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.
“Së fundi, jemi duke punuar për ofrimin brenda mundësive tona të ndihmave në materiale ushtarake dhe spitalore, etj, për Ukrainën.
Në ditët në vijim, do të kemi më shumë informacion për të ndarë me ju lidhur me zbatimin e këtyre masave. Ndërkohë që dua të theksoj që Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë e masë të aleatëve e partnerëve tanë. Ky është një detyrim që çdo vend demokratik ka sot jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj shoqërive e popujve tanë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, tha Xhaçka./durreslajm.al
https://www.facebook.com/ediramaa