Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga 2% që është mesatarja europiane), por nuk ka arritur që të zhvillojë bujqësinë organike, e cila do ti sillte vlerë të shtuar sektorit.
- Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se Shqipëria kishte vetëm 1097 hektarë sipërfaqe totale organike, që në raport me sipërfaqen totale përkatëse të punueshme është më e ulëta në Europë, me rreth 0.09%, nga gati 10% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Shtetet fqinjë si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndonëse kanë një peshë më të ulët të bujqësisë në ekonomi kanë një sipërfaqe më të lartë të bujqësisë organike.
Në Maqedoninë e Veriut, sipërfaqja totale organike (e konvertuar plotësisht, ose në proces konvertimi) në vitin 2021 ishte 7794 hektarë (rreth 0.61% e totalit) dhe në Mal të Zi ishte 4404 hektarë (1.72% e totalit).
Zona e bujqësisë organike e BE-së mbulonte 15.9 milionë hektarë
Sipas Eurostat, sipërfaqja e përdorur për prodhimin bujqësor organik në BE, vazhdon të rritet.
Ajo u zgjerua nga 14.7 milion hektarë (ha) në 2020, në 15.9 milion ha në 2021, ekuivalente me 9.9% të sipërfaqes totale bujqësore të shfrytëzuar në BE (utilised agricultural area, UAA).
Midis 2012 dhe 2021, sipërfaqja e përdorur për bujqësi organike, u rrit pothuajse në të gjitha vendet e BE-së.
Zona pothuajse u katërfishua në Portugali (+283%) dhe Kroaci (+282%), normat më të mprehta të rritjes brenda BE-së. Ajo gjithashtu u rrit me shpejtësi në Francë (+169%) dhe gjithashtu u dyfishua në Hungari (+125%) dhe Rumani (+101%).
Përqindjet më të larta të zonave të bujqësisë organike, brenda totalit të UAA ishin në Austri (26% në 2020), Estoni (23% në 2021) dhe Suedi (20% në 2021).
Në të kundërt, pjesa e zonave me bujqësi organike ishte nën 5% në gjashtë vende të BE-së në vitin 2021, me përqindjet më të ulëta në Bullgari (1.7%) dhe Maltë (0.6%)