Imzot Angelo Massafra ka bërë një apel të fortë pak ditë më parë në lidhje me emigrimin masiv të shqiptarëve jashtë vendit, dhe sipas tij duhet gjetur rruga për t’i vënë fre këtij fenomeni.
- I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në Syri Tv, Massafra deklaroi se janë në kontakt me qytetarët ndërsa shtoi se në vitet e fundit vendi është zbrazur.
“Në fshatra rreth Shkodrës ka shumë shtëpi të bukura por të zbrazura. Të gjithë e dinë këtë tashmë. Po e denoncojmë. Ne jemi për të mirën e kombit tonë. Emigrimi është liria e njeriut por gjendja është e rëndë.
- Humbja e një pjese të madhe të shqiptarëve, humbja e besimit, gjëja më e keqe sipas meje, nuk largohen ato të varfërit si në 90-ën, por familjet që ekonomikisht janë mirë dhe thonë se nuk e duan këtë Shqipëri për fëmijët e tyre. Fëmijët e 9-vjeçares, mendjen e kanë jashtë.”-tha Massafra.
Më tej, Imzot Angelo Massafra ai deklaroi se duhet një punë e përbashkët e qeverisë për të bërë të mundur një jetesë të mirë për shqiptarët.
“Ne i kemi të gjitha në këtë vend, natyra fantastike, ujin e kemi, kemi dhe shumë gjëra të tjera. Ti je sëmurë, shkon në spital, s’të merr askush në dorë. Nëse nuk japin gjërat elementare, të gjithë i dinë, por kanë frikë t’i thonë. Ne i themim këto. Jemi zëri i atyre që s’kanë zë. Mund të bëhet, kurrë nuk është vonë.”-tha Massafra.