Shoqata “Tomorri” / Bashkim pas “ndarjes”

Kishte  më shumë se 2 vjet që situata pandemike e kishte “ndarë” anëtarësinë e Shoqatës Kulturore “Tomorri”, dhe ja, enjtja e 19 majit ishte sipari i rifillimit të aktiviteteve normale të kryesisë dhe të drejtuesëve të degës së Tiranës, të cilët u mblodhën në një takim për të përcaktuar hapat e mëtejshme të zhvillimit normal të jetës së kësaj shoqate. Ishte një takim miks si në pjesmarrje ku krahas anëtarëve të kryesisë ishin edhe artistë të këngës skraparase, ashtu edhe në problematikat e parashtruara. Takimi përpos “çmalljes” nga ndarja e “gjatë” do të rikthente këngën skraparase.  Pas përshëndetjes  dhe një “rezymeje” të përgjithëshme të situatës të kryetarit të Shoqatës z Engjëll Musai, më tej fjalën e rastit  e mbajti sekretari i Përgjithëshëm dhe kryetar i Degës së Tiranës, muzikanti Ramis Hamzollari,

i cili parashtroi planin në zhvillim të aktiviteteve të shoqatës. Tema kryesore e kësaj mbledhje ishte organizimi i zgjedhjeve të reja për kryetarin dhe  anëtarët e kryesisë, por edhe të  aktiviteteve kulturore dhe artistike. Rregjistrimi në Ministrinë e Kulturës i Ansamblit Artistik “Demir Zyko” ishte lajmi që do të bënte me “krahë” artistët që  ishin prezentë, por jo vetëm. Kjo risi i hap rrugën këtij ansambli që të jetë konkurues dhe të përfitojë fonde në kuadër të projekteve të Ministrisë së Kulturës. Promovimi i librit “Visare të Skraparit” të pedagogut Viktor Bakillari, do të jetë aktiviteti   radhës i cili do të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar, i cili do të organizohet në formën e një spektakli edhe nga nga një koncert i Ansamblit “Demir Zyka”. Bashkëbisedimi i lirë i “ndërprerë” nga  këngët e Dule Malindit, Xheladin Cërrit, Dashuri Hysit, Neta Dokos, Pëllumb Gjatës dhe Sefedin Çelës dhe shoqërimi edhe me nga ndonjë got raki, nga ajo e “anës” tonë do ta “nxehte” edhe më tej këtë takim kaq përmallues.

Jehona.info    

 

 

Author: jehona