Servet Sinani, “monografi” i Staraveckës

In Memoriam

Në mbrëmjen e 22 qershorit 2022, ndërroi jetë në moshën 92-veçare, biri i Skraparit, Servet Meleq Sinani.

Ai lindi më 14 qershor 1930, në fshatin Staraveckë të Skraparit. Pas shkollimit në vendlindje dhe disa kurseve kualifikuese në Tiranë, që nga viti 1951 e deri në vitin 1985, shërbeu me korrektesë në sektorë të ndryshëm të ushtrisë shqiptare, në rrethe të ndryshme të vendit. Kontributi i tij për vendlindjen dhe shoqërinë tonë është i shumëanshëm, por ajo që do të veçonim sot, në këtë ditë të ndarjes nga jeta, është tashëgimia modeste që ai la pas në fushën e letrave, ku do veçonim monografinë “Sinanajt e Staraveckës”.

Natyrisht, Serveti nuk erdhi rastësisht para lexuesit me një punim kaq serioz, edhe pse ishte i pari libër për të, pasi penën e kishte marrë herët në dorë, qysh në vitet ‘60-’70 të shek. XX, dhe e vazhdoi deri pas daljes në pension. Siglën “Sinani” e gjejmë në disa gazeta lokale e qendrore shqiptare, si “Jehona e Skraparit”, “Luftëtari”, “Bashkimi”, “Dielli i Tomorrit”, “Tradita” etj, përmes vjershave, poezive, skicave, reportazheve e artikujve të ndryshëm historikë e kulturorë, numri i të cilave i kalon tridhjetë. Në fjalorin enciklopedik të Qarkut Berat, botim i vitit 2010, faqe 359, Serveti përmendet, krahas emrave të tjerë, si një ndër penat e spikatura të gazetës “Jehona e Skraparit”.

Monografia në fjalë i ka fillimet qysh në vitin 1985, dhe e pa dritën e botimit në vitin 2011, por autori nuk arriti të përfshijë në të gjithë kriimtarinë e tij, ndaj dhe i mbeti peng që sa qe gjallë s’realizoi dhe një botim të dytë,. Natyrisht që, shërbimin më të madh ai ua bëri njerëzve të gjakut të tij, fisit Sinanaj (emër që mban dhe vëllimi), por ai nuk anashkalon aty edhe fiset e tjera, bile pjesën e parë ja kushton tërësisht historikut të Staraveckës, që nga lashtësia e deri në ditët tona.

Jehona.Info

 

Author: jehona