Në Sarajevë, një student po përdor dronin e tij për të trajtuar një nga problemet më të mëdha të qytetit: ndotjen e ajrit. Shkarkimi në ajër i një përbërësi kimik mund të ndihmojë në reduktimin e smogut të kryeqytetit boshnjak, megjithëse ekspertët thonë se duhet një angazhim më i fortë për të patur një ndikim të madh në zgjidhjen e këtij problemi.
- I zemëruar nga mungesa e angazhimit për të zgjidhur problemin e smogut në qytetin e tij, një student boshnjak vendosi të kërkonte një mënyrë me kosto relativisht të ulët për ta pastruar ajrin në Sarajevë.
Damir Haniç është një student 22-vjeçar i inxhinierisë mekanike, dhe pilot i dronëve.
“Doja të ndihmoja qytetin tim sepse në vitet e fundit kam parë shumë njerëz të dashur, miqtë, profesorët, prindërit e kolegëve të mi, që vuajnë nga probleme të mushkërive dhe ato kardio-vaskulare. Pasi analizova situatën, e kuptova se smogu ishte shkaktari kryesor i këtyre problemeve shëndetësore”, thotë ai.
- Me ndihmën e dronit të tij, ai spërkat jodur argjendi mbi qytetin e Sarajevës. Joduri ndodhet në mjedis, por në një nivel të ulët, dhe nuk mendohet të jetë i dëmshëm për njerëzit ose kafshët e egra. Pasi hidhet në ajër, joduri shkakton formimin e kristaleve të akullit, të cilat së bashku me grimcat e rrezikshme bien në tokë në formë shiu ose bore. Pastaj, vetëm larja e rrugëve është e mjaftueshme për të ulur nivelin e smogut, thotë studenti Damir Haniç. Por, droni i tij nuk ka gjasa të ketë një ndikim të madh.
Sarajeva shtrihet në një luginë të thellë, të rrethuar nga male të larta, dhe historikisht ka vuajtur nga prania e mjegullës, smogut dhe pluhurit.
Situata u përkeqësua gjatë dekadës së fundit për shkak të shtimit të numrit të ndërtesave të larta që bllokojnë rrjedhën e ajrit, përdorimit të automjeteve të vjetra dhe shumë ndotëse dhe rritjes së përdorimit të qymyrit për ngrohje në qytet.
- Sipas Programit të OKB-së për Mjedisin, banorët e Sarajevës janë të ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë, gjë që ka ulur jetëgjatësinë deri në 1.3 vjet.
“Unë mirëpres çdo ide, duke përfshirë atë të përdorimit të dronëve, por dronët janë shumë të vegjël për zgjidhjen e problemit tonë të madh. Për të shpërndarë jadur argjendi mbi Sarajevë kemi nevojë për një flotë të avionëve ushtarak të transportit “Hecules”, thotë Martin Tais, një ekspert boshnjak i cilësisë së ajrit dhe ndryshimeve klimatike, duke iu referuar avionit ushtarak amerikan që mund të transportojë ngarkesa me peshë deri në 19,000 kg.
Ai thotë zgjidhja duhet të përfshijë rinovimin e ndërtesave për të rritur efektshmërinë e tyre energjetike, kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë dhe reduktimin e ndotjes së ajrit nga automjetet duke ndihmuar qytetarët të zëvendësojnë makinat e tyre të vjetra, mesatarisht 16-vjeçare, me makina më reja dhe më pak ndotëse.
Arritja e të gjitha këtyre synimeve do të merrte një dekadë dhe do të kushtonte rreth 10 milionë euro.
Ndonëse mendon se duhet bërë diçka sa më shpejtë për ta çliruar Sarajevën nga smogu, studenti Damir Haniç në thelb pajtohet me këtë vlerësim.
“Mendoj se kjo është vetëm një nxitje për të ndryshuar mënyrën se si mendojmë për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit, smogu ka qenë problemi ynë për mbi 60 vjet, dhe ne ende pyesim veten se kur do të zgjidhet. Ne kemi nevojë për më shumë ide, duhet të fillojmë të dëgjojmë të rinjtë. Nëse jo, atëherë duhet t’i lëmë të rinjtë të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit me një gamë të gjerë idesh”, thotë ai.