Nga Ermal Mulosmani
Sa është shuma që do i paguajnë shqiptarët Francesco Becchetit? Sa është detyrimi total dhe çfarë mund të bëhej me aq para?
Përtej marazit që na kap kur kuptojmë se duhet të paguajmë për tekat e Kryeministrit, adjutantit të tij Agaçi dhe Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, secili nga ne duhet të kuptojë se çfarë përfaqëson shifra prej 118 milion e 500 mijë Euro që, sipas të gjitha gjasave, shteti shqiptar duhet t’i paguajë një tregtari Italian, investimet e të cilit në Shqipëri nuk i kaluan kurrë 20 milion Euro.
Nëse pjesëtojmë shumën totale të gjobës me banorët rezident në Shqipëri, sipas INSTAT-it, në 01 Janar 2020 (po të jetë e azhornuar me të dhënat e sotme del edhe më pak njerëz me siguri) del shuma 41,6 € për person. (118,500,000€/2,845,955 njerëz) Nëse këtë shifër e shumëzojmë me numrin e banorëve për çdo qark, atëherë do të kemi të dhënat e mëposhtëme:
Pra, një qark i varfër si Kukësi, fjala vjen, duhet t’i paguajë Becchettit 3,120,000 Euro! Edhe nëse mbledhim kursimet jetësore të këtyre banorëve (gjysma e tyre me siguri nuk kanë kursime por borxhe) shuma e të gjithë kursimeve nuk do të kapte atë shumë. Çdo familje me 5 persona nga Kolesjani, Bicajt, Shishtaveci, Dragobia, Geghyseni, Golajtt, Helshani apo Leniqi do t’i paguajë biznesmenit Italian 200 e ca Euro nga paratë e tyre!
Nuk kanë?! Problem i madh. I paguan Kryeministri nga paratë e shtetit. Do shkonin për asistencë sociale për fukarenjtë e Shqipërisë, por, meqë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Ëngjëll Agaçi nuk donin media opozitare, atëherë, le të rrinë pa bukë fukarenjtë. Zorra e thatë le të thahet edhe pak!
Nuk kanë? Le të marrin borxh, të shtojnë borxhet! Le të bëjnë siç kanë bërë deri tani, le të durojnë edhe pak. Fundja ata janë njerëz të butë. Ata veç qeshin me batutat e Kryeministrit….
Nëse Beccheti do t’i investonte aq para në qarkun e Kukësit, për të blerë vota do të merrte dy deputetë nga tre që ka qarku!
Nëse Beccheti do të formonte Parti dhe të konkuronte në Shqipëri, do të ishte Parti e parë! 118 milionë Euro po të paguhen për të blerë vota do të blenin 590 mijë njerëz! Dhe me çmim të mire jo hauhiu, 200 €/votë! Çdo familje me 5 anëtarë do të merrte 1000 € po të votonte Becchetin!
Të gjithë me siguri do ia kishin dhënë votën për të kursyer aq para. Fundja ne nuk mendojmë më shumë se sa hallin e sotëm. Rama dhe Basha do të humbisnin pushtetin, Beccheti do të bëhej udhëheqësi ynë. Punë e madhe, le të vinte. Ama mos të na i merrte paratë nga xhepi.
Por fatkeqësisht Francesco ka një plan tjetër. Me paratë tona do blejë Evertonin.
Sa bukur! Për blerjen e një klubi të Premier League paguajnë katundarët e Geghysenit! /Express