Rritja e çmimeve/Bie deri në 40% konsumi, mishi zëvendësohet nga buka

Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet.

Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.

Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.

Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.

Çmimet e larta tkurrin konsumin e mallrave të shportës

Rënia e konsumit pritet të krijojë situatë të vështirë te bizneset, pasi kostot operacionale (pagat e punonjësve, tarifat e transportit, taksat) vijojnë të mbahen në të njëjtat nivele kur konsumi ishte më i lartë.

 

Nëse kjo situatë vijon, i gjithë presioni do të shfryhet diku, bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e të punësuarve, pasi nuk do të kenë mundësi financiare.

Largimi të rinjëve sjell uljen e konsumit të  mishit, sallamit, proshutës, etj.  Në industrinë e përpunimit të mishit, çmimet e produkteve të konsumatorit nuk po rriten artificialisht, por për shkak të kostove.

Taksa e lëndës së parë përpunuese në Shqipëri është 12%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është zero. TVSH e produkteve të konsumit është 20%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nga 5% që ishte u bë zero.

Mishi zëvendësohet nga …buka

 

Rënie të konsumit ka pasur edhe te mishi i viçit dhe derrit, pasi çmimi i mishit të viçit është shtrenjtuar 20% më shumë se vjet dhe ai i derrit është dyfishuar.

Shtohet konsumi i bukës

Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje, duke arritur në 100 lekë. Ndërsa çmimi në 120 lekë ka nisur të tregtohet në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti.

Bie prodhimi i vezëve

 

Përveç sektorit të përpunimit të qumështit, një tjetër industri që po vuan rënien e prodhimit është industria e vezëve. Për shkak të influencës aviare deri në fund të muajit mars, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë ngordhën 380 mijë shpendë.

Karburanti

Importet e karburantit për periudhën janar-qershor 2022 janë rreth 9% më pak se 2021, sipas të dhënave të Doganave. Operatorë të tregut shpjegojnë se rënia e konsumit është ndikuar nga rritja e lartë e çmimeve, ulja e aktivitetit të ndërtimit, për shkak të shtrenjtimit të lartë të çmimit të hekurit, çimentos dhe plastikës.

Çmimi i naftës pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë është rritur mbi nivelin e 200 lekëve për litër, duke kërcyer deri në 265 lekë për litër në muajin qershor./Monitor/

Author: jehona