Nga Mehdi Gurra teolog
Kryetar i Fondacionit “ALSAR”
Akti i djegies së Kuranit, librit të shenjtë të Islamit dhe të muslimanëve në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm para pak ditësh shënoi pikën kulminante të urrejtjes patologjike.
- Djegia e Kur’anit nën hundën e organeve suedeze të zbatimit të ligjit nga një politikan ekstremist dhe i njohur për akte të tilla perverse përbën një provokacion të rrezikshëm në raport me bashkëjetesën dhe marrëdhëniet ndër-kulturore midis grupimeve sociale në të gjithë Europën.
Arsyetimi i autoriteteve shtetërore suedeze, i mbështetur në lirinë e mendimit dhe të shprehjes, është sofistik, në rastin më të mirë, apo tregues i mungesës së plotë të vullnetit për të respektuar dhe për tu angazhuar në ndërtimin e urave lidhëse midis komuniteteve fetare.
- Sulmi mbi vlerat e shenjta nuk është liri, por barbarizëm modern, ai meriton dënimin më të ashpër, për t’u prerë rrugën akteve të ngjashme në të ardhmen.
Gjuha dhe sjellja islamofobe është gjëja më e gabuar sot për botën.Respektimi i së shenjtës së miliarda njerëzve qëndron mbi çdo liri mendimi dhe shprehjeje, aq më shumë kur kjo liri vlen vetëm në ato raste kur goditet dhe nëpërkëmbet Islami.
Valës së reagimeve kundër djegies së Kur’anit në Stokholm i bashkangjitet dhe Fondacioni ALSAR, duke e dënuar ashpër aktin e patolerueshëm!
Ne e refuzojmë lirinë e mendimit dhe të shprehjes që cenon çdo besim dhe çdo besimtar! Ne refuzojmë çdo akt i cili mbjell dhe nxit urrejtje!
- Mjaft me përdorimin e lirisë që i fryn zjarrit të islamofobisë!