Pse po arratisen shqiptarët ?

Nga Gjergj Erebara

Një vend i vogël si Shqipëria, pas tre dekadash emigrimi të vazhdueshëm, vijon të përbëjë lajm për nga numri i të rinjve të gatshëm për të rrezikuar jetën, kësaj here jo në Adriatik, por në La Mansh, për të arritur në Britani. Kryeministri nuk ka pse të shkojë pas në histori për të kuptuar se kultura e drogës dhe e krimit si çelësi i suksesit është një fenomen i kohës sonë, ku ai vetë ka një kontribut aspak të vogël.

  • Kryeministri Edi Rama tentoi t’ia hedhë fajin “perandorive” të së shkuarës për dallgën e re të emigrimit të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke e cilësuar Shqipërinë si një “viktimë prej një kohe të gjatë të perandorive”, pa harruar të thotë se shqiptarët vetë nuk e kanë pasur kurrë një të tillë.

Kjo është një përqasje fyese ndaj problemit aktual. Një i ri i lindur, fjala vjen, në vitin 2000, tenton të arratiset nga Shqipëria në mënyrën më të dëshpëruar të mundshme në vitin 2022. Kjo vështirë se ka të bëjë me faktin se Perandoria Romake ekzistoi mbi dy mijë vjet më parë dhe as se Perandoria Osmane ekzistoi deri më shumë se një shekull më parë. Dhe shqiptarët, të cilët hyjnë në kategorinë e 95% të popujve të botës që nuk kanë pasur ndonjëherë ndonjë perandori, vështirë se mund të justifikojnë gomonet e La Manshit me ndonjë tragjedi të ndodhur shekuj më parë.

Bota në fakt ka krijuar shumë teori për të shpjeguar migracionin. Disa mbështeten në të dhëna moderne statistikore, disa të tjera në vrojtime të drejtpërdrejta. Për shembull, në vitin 1992, pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, një zyrë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bëri një përmbledhje të teorive kryesore që përpiqen të shpjegojnë migrimin, ku natyrshëm, teoria që një vend ka qenë dikur “viktimë” e një perandorie, nuk bën pjesë. Gjithsesi, po jap një përmbledhje për të kuptuar se në çfarë kategorie mund të futet emigrimi shqiptar:

Pabarazia në të ardhura.

Teoria thotë se nëse në një vend paga është 1 lek dhe në një tjetër, 10 lekë, atëherë një numër njerëzisht do të zhvendosen nga vendi i varfër te vendi i pasur, sepse diferenca në të ardhura mbulon kostot, të tilla si kostoja e udhëtimit dhe kostoja e banimit në vendin ku emigron. Kjo është pjesërisht e vërtetë në rastin e Shqipërisë. Diferenca në të ardhura reale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka qenë një me dhjetë njëzet vjet më parë, ndërsa tani është një me tre.

Siguria shoqërore.

Teoria thotë se një familje që jeton në një vend të varfër, e ka të vështirë të përballojë një krizë, fjala vjen një sëmundje të papritur, me të ardhurat e pakëta që ka në dispozicion dhe për këtë arsye vendos që një prej anëtarëve të familjes, p.sh., një prej djemve, ta dërgojë në emigrim. Psh., edhe sot në Kosovë mund të dëgjosh herë pas here shprehjen e kohës së ish-Jugosllavisë, e cila thotë se familja ka nevojë për tre djem, ku njëri duhet të dërgohet për punë në Zvicër apo në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të pasur, tjetri duhet të punojë tokën në shtëpi, ndërsa i treti i përket Flamurit, pra atdheut.

Emigrim kulturor.

Nëse jeton në një zonë rurale, ka gjasa që kushtet e jetesës, sado të mjaftueshme që të mund të jenë, nuk të ngopin nga pikëpamja sociale. Një i ri nuk jeton dot vetëm me bukë, zakonisht kërkon të shijojë jetën dhe jeta shijohet në një metropol të madh. Rrjedhimisht, ai emigron. Nuk është e tepërt të thuhet se një pjesë e emigrimit shkaktohet nga kultura televizive e transmetuar nga vendet e zhvilluara dhe jo nga problemet ekonomike.

Emigrim politik.

Teoria ndërkombëtare thotë se të ikurit nga Shqipëria nuk përbën argument për strehim politik, për shkak se Shqipëria nuk të persekuton drejtpërsëdrejti, si në kohën e komunizmit. Por përtej asaj që ligji ndërkombëtar cilëson si emigrim politik, nëse qyteti yt kontrollohet nga krimi i organizuar, është normale që të ikësh prej tij dhe kjo nuk të bën më pak emigrant politik se sa emigranti politik që cilësohet si i tillë nga ligji ndërkombëtar.

Pirateria.

Sulmi i shqiptarëve ndaj Mbretërisë së Bashkuar ngjan shumë me piraterinë. Kudo në Shqipëri dëgjon për njerëz që ikin në Mbretërinë e Bashkuar me qëllim të drejtpërdrejtë për të punuar në “shtëpitë e barit”, pra në industrinë e drogës. Atje mund të bëhen paratë që në Shqipëri janë të paarritshme. Kryeministri nuk ka pse të shkojë pas në histori për të kuptuar se kultura e drogës dhe e krimit si çelësi i suksesit është një fenomen i kohës sonë, ku ai vetë ka një kontribut aspak të vogël. Ka të bëjë me kanabizimin e Shqipërisë në vitet 2014-2015 e 2016 si dhe me pushtimin e vendit nga krimi. Rama mund ta ketë të lehtë ta mohojë me autoparlantin e vet të madh atë që shqiptarët në fakt e shohin me sytë e tyre. Pallate që mbijnë nga asgjëja, biznesmenë që shfaqen nga asgjëja, apartamente që kushtojnë aq para sa asnjë qytetar normal nuk arrin t’i konceptojë si të mundura për t’i blerë me të ardhurat nga rroga. E nëse vendi vijon të sundohet në këtë mënyrë, normalisht që njerëzit do të shohin shtëpitë e barit si zgjidhja e vetme praktike dhe fare kollaj brenda moralit të përgjithshëm të shoqërisë, si çelësi i suksesit.

  • Niccolo Machiavelli jetoi në një kohë kur hipotezat nxirreshin nga vëzhgime të drejtpërdrejta mbi historinë. Teoria e tij se pse njerëzit migrojnë, lidhet me faktin që një vend mund të ketë mangësi burimesh dhe pjellori të lartë. Por, thotë ai, emigrimi shkaktohet edhe nga princi i keq. “Ai”, thotë Machiavelli, “do ta shohë detin përplot me mërgimtarë, bregdetin, përplot me gjak”./BIRN/

Author: jehona