Kryeministri Edi Rama refuzon publikisht ofertën e Rusisë për të bërë marrëveshje për blerjen e vaksinës ruse “Sputnik V”, për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Në një konferencë për mediat, Rama e quajti ofertën e bërë nga Ambasada në Tiranë, si “provokim qesharak”.
Rama bëri me dije se Shqipëria është në bisedime me tre kompanitë më të njohura për vaksinën, Pfizer, AstraZeneca dhe Modrena, kompani me të cilat sipas kryeministrit janë të lidhura dhe shtetet europiane.
Kujtojmë se, dje Ambasada e Rusisë në Tiranë i bëri një ofertë publike drejtorit për Media të Ramës, Endri Fuga, duke thënë se Rusia ishte e gatshme të negocionte për vaksinën e saj “Sputnik V” me Shqipërinë.
Pjesë nga deklarata e Edi Ramës:
Unë kam menduar se ka qenë një meme. Mendova se ishte një meme sepse për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk po i paraprijë ndonjë demarshi ndaj shtetit rus, por ky është provokim qesharak dhe nuk është mirë që një shtet serioz si Rusia të bëjë këto provokime. Ambasada në Tiranë nuk mund të sillet sikur është seksion i Portokallisë apo konkurent i Portokallisë.
Nuk shoh arsye që Ambasada e Rusisë të përfshihet në aspektin e memeve. Ne jemi të fokusuar te vaksinat e Pfizer, AstraZenecas dhe Modernës. Me këto kompani jemi në komunikim dhe shtete europiane janë të drejtuara drejt këtyre kompanive. Nuk kemi asnjë arsye të paragjykojmë vaksinën kineze apo ruse, por për momentin duke parë dhe të tjerët, ne jemi të fokusuar në këto drejtime.
Nëse do lind nevoja apo do e shohim të arsyeshme, padiskutim që do shikojmë dhe alternativat e tjera. Postimi i Ambasadës Ruse nga ana ime shihet si i papërshtatshëm./korrieri.al