Promovohet botimi i ALSAR-it për Toptanasit

Në sallën “Balsha” të hotelit “Tirana International” u zhvillua ceremonia e paraqitjes së librit, “Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, të autorit Ajten Toptani, dhe një botim i Fondacionit ALSAR.

Mes një pjesëmarrjeje të gjerë, në promovim u fol për tematikën dhe vlerat e librit, e u shprehën gjithashtu konsideratat për Botimet ALSAR.

  • Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili tha:

Të nderuar pjesëmarrës në paraqitjen e këtij botimi!

Mbledhja në këtë sallë për promovimin e një libri është mbyllje ideale e një viti për një fondacion si ky i yni që gjithnjë e më shumë po u kushton vëmendje dhe energji botimeve të reja.

Po aq ideal besoj se duhet të jetë ky moment tubimi dhe për autorin, përmbledhësin e një historie në tekst dhe fotografi për familjen së cilës i përket dhe që i ka kushtuar një kohë të gjatë përgatitjes së kësaj vepre.

Ndërsa jashtë kësaj godine sheshi qendror i kryeqytetit është shndërruar në arenën e një feste disajavore, përjetimi ynë festiv këtu është i një lloji tjetër, shumë më i koncentruar, më i veçantë, më domethënës e më në kontrast.

Të pranishëm të nderuar!

Prej tre dekadash e më shumë jetojmë në një tjetër epokë; kohë e mjaftueshme për të parë dhe kuptuar se nga po shkon rrjedha e ngjarjeve. Për njerëzit e iluzioneve, e ardhmja nuk premton aq sa duhet, në mos asgjë. Kush ka patur shpresa të mëdha deri sot ka provuar sigurisht dhe zhgënjim. Ndërkaq, nostalgjikët kanë shumë për të kujtuar me mall. Përtej kësaj, optimizmi duhet të mbizotërojë dhe kur mjedisi ushqen ndrydhje.

  • E pra, të tëra këto i sintetizon vepra për të cilën jemi mbledhur, fryt i ndjesive dhe përgjegjësive që autorit ia kanë dhënë rrënjët familjare. Përkatësinë e tij individuale ai e ka kthyer në frymëzim për të shkruar për, ‘Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit’.

Tiranas të vjetër dhe të rinj!

Toptanasit zënë një vend të rëndësishëm në historinë e qytetit, të kryeqytetit, dhe të vendit, protagonistë në zhvillimet e njohura në jetën shqiptare. Ata kanë parë ditë të mira dhe të këqija, kanë provuar kulme dhe perëndime, kanë patur paqe dhe trazime, kanë njohur respektin dhe përbuzjen, begatinë dhe vuajtjen. Sado të panatyrshme të kenë qenë rëniet në sytë e tyre, ato nuk kanë bërë përjashtim nga natyrshmëria e kësaj bote, se vazhdimësia e gjithçkaje johyjnore është e përkohshme, asnjëherë e përhershme.

  • Botimi i paraqitur sot përpara jush dhe publikut të gjerë jua bën të njohur historinë e kësaj familjeje në kornizën e asaj që autori e ka zgjedhur dhe për titull, ‘Për Toptanasit që di’. Z. Ajten Toptani i ka dhënë punimit formën e një përmbledhjeje të përgjithshme historike dhe të një albumi fotografik, duke u mbështetur në burime historike dhe duke marrë për referencë trajtesa historianësh. Aty ku i ka lejuar liri vetes, si në ilustrimet e tij, imagjinatën e ka patur të skajshme, herë-herë më tepër se të guximshme.

Zonja dhe zotërinj!

Qëllimi i botimeve të ALSAR-it është që t’i shërbejnë kulturës sonë kombëtare, pasurimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimit të identitetit kombëtar. Mbi 300 tituj të botuar në vite flasin për ndjekjen konsekuente të këtij objektivi.

Ky botim gjithashtu është në këtë suazë, i nxjerrë nga shtypi prej nesh edhe pse pikëpamjet e autorit nuk përkojnë në raste të caktuara me tonat. Por ja që përkime absolute nuk mund të ketë!

Botuesi ka respektuar qëndrimet e autorit, pa u përfshirë në përcaktime për përmbajtjen që do ta kishin cenuar bashkëpunimin.

Nga kjo familje kanë dalë figura të rëndësishme për të cilët historianët kanë mendime të ndryshme. Prandaj ne, si botues, nuk kemi dashur të përqendrohemi në një emër apo në një tjetër, duke pranuar, në të kundërt, të botojmë një histori përmbledhëse të toptanasve.

Ne mendojmë se është e nevojshme mbajtja e një simpoziumi, ku historianët të flasin mbi kontributet e çdo personaliteti të spikatur të familjes Toptani në historinë e Shqipërisë. Kjo vepër e sapobotuar le të shërbejë si nxitje për një simpozium të tillë.

  • Me këtë rast, lejomëni ta falënderoj në veçanti zotin Thomas Frashëri, i cili u bë shkas për njohjen tonë me autorin e librit dhe për botimin e tij. Një falënderim është gjithashtu për autorin, si dhe për të gjithë ju që na respektuat me pjesëmarrjen tuaj. Uroj që ky promovim t’ju japë kënaqësinë e duhur!”

Pas tij e mori fjalën historiani Beqir Meta, i ndjekur nga z. Thomas Frashëri, që u ndal në një recensë të botimit.

Në promovim përshëndeti prof. dr. Ferid Hudhri. Të pranishmëve iu drejtua dhe autori i librit, z. Ajten Toptani.

Author: jehona